MAQEDONI

KSHZ të mërkurën shpall rezultatet përfundimtare

05.05.2014 18:28

Seanca e KSHZ-së e planifikuar për sot që të shpallë edhe zyrtarisht rezultatin përfundimtarë për zgjedhjet parlamentare...

Seanca e KSHZ-së e planifikuar për sot që të shpallë edhe zyrtarisht rezultatin përfundimtarë për zgjedhjet parlamentare, pas refuzimit të ankesave nga KSHZ dhe Gjykata Administrative, u prolongua për një ditë tjetër.
 
Një vendim të tillë KSHZ e ka marrë me qëllim që t’i jepet hapësirë në kohë LSDM-së, e cila ka vendosur të mos i pranojë mandatet.   
 
“Ne si KSHZ jemi duke bërë atë aspektin përfundimtarë, të shpallim rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe njëkohësisht do t’i shpallim edhe me mandate, se cila parti sa mandate ka përfituar”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
 
Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se procedura e mospranimit të mandateve, kërkon kohë relative deri në shterjen e kandidatëve për deputet nga lista e LSDM-së. 
 
“Nëse mandatet që i ka marrë LSDM-ja dhe se në Parlament a i pranojnë apo japin dorëheqje, atëherë Parlamenti duhet ta njoftojë KSHZ-në dhe pastaj duhet të deklarohen ata që vijnë me radhë, se i pranojnë ose jo. Nëse asnjëri prej tyre nuk i pranon mandatet, atëherë shteret lista dhe ne e informojmë Kuvendin e Maqedonisë se lista e kësaj partie është shterur dhe duhet të vazhdohet me procedurë të mëtejmë sipas Kodit Zgjedhor”, shtoi më tej Jakupi.
 
Seanca e KSHZ-së për verifikimin e mandateve të deputetëve pritet të mbahet ditën e mërkurë, kurse një ditë më pas, seancë konstituive e Parlamentit.
 
AFRIM TANALLARI