Godet Futsal Shkupi, transferojnë reprezentuesin e përkohshëm, Orhan Ibishi
Orhan Ibishi në 6 muajt e rradhës do të mbroje ngjyrat e klubit Futsal Shkupi...

Orhan Ibishi në 6 muajt e rradhës do të mbroje ngjyrat e klubit Futsal Shkupi. Ibishi te Shkupi vjen nga ekipi i Juventus Seravës, të cilët në këtë mënyrë treguan profesionalizmin e tyre, duke përkrahur haptaz ambiciet që ka klubi “bardhekaltër” nga Çairi në elitën e futsalit vendor.
Prezantimin e Ibishit e bërën dy anëtarët e kryesisë së Futsal Shkupit, Mensur Fazlija dhe Agron Fazlija, të cilët premtuan se ekipi i tyre nuk do të ndalet këtu, kur janë në pyetje përforcimet dhe risitë në këtë klub, i cili edhe pse i themeluar vetëm dy vite më parë, ai po funksionon me shumë sukses, ku si rezultat nuk mungojnë edhe rezultatet që po arrin kjo skuadër.
Rikujtojmë ata që në vitin e parë të themelimit në vitin 2014-të u shpallën kampion në Ligën e Dytë, duke siguruar një vend për në elitën e futsalit, ku sërish nuk munguan rezultatet dhe në fund që në debutimin e tyre në mesin e më të mirëve arritën që të shpallen nënkampion.
Këtë vit ambiciet e tyre janë më të larta, ndërsa një gjë të tillë dëshmon edhe gjysmësezoni i parë i edicionit 2016/2017, ku Shkupi arriti që ta mbyll në pozitën e dytë pa asnjë humbje.
Ata në duelin direkt me rivalin e tyre Velesin barazuan 3:3 në ndeshjen në transfertë, dhe pikërisht kjo ju jep shpresa edhe më të mëdha për gjysmësezonin e dytë, ku futen me 3 pikë më pak se rivali i tyre direkt për titull, mirëpo duke potencuar njëkohësisht se Shkupi ka edhe një ndeshje më pak.
