MAQEDONI

Bushati fton për kohezion më të madh ndërshqiptarë

05.05.2014 18:37

Shefi i Diplomacisë së Shqipërisë, Ditmir Bushati, duke e komentuar situatën e pas zgjedhjeve në Maqedoni...

Shefi i Diplomacisë së Shqipërisë, Ditmir Bushati, duke e komentuar situatën e pas zgjedhjeve në Maqedoni, ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” se është e pabesueshme të qeveriset me këtë Shtet pa pjesëmarrjen e shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoni.
 
“Nuk do të doja kurrë të besoja që dikush do të mund të mendonte se mund të qeveriste Maqedoninë pa pjesëmarrjen solide dhe kontributin e qartë të faktorit politik shqiptar, sepse më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë, apo mosmarrëveshjet dypalëshe që Maqedonia mund të ketë me shtete të ndryshme në rajon, është i rëndësishëm stabiliteti dhe ankorimi i saj në rrjedhat euro-atlantike”, deklaroi Bushati.
 
Ministri Bushati i ka bërë thirrje faktorit politik shqiptar, të krijojë kohezion më të madh mes vete, por edhe me faktorin politik maqedonas dhe të mësojnë nga zgjedhjet e realizuara parlamentare dhe ato presidenciale. Ai gjithashtu në intervistë ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, është trungu i stabilitetit të brendshëm dhe mundësia e vetme për hapjen e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
 
“Gjithmonë kam bërë thirrje, duke nxitur një kohezion më të madh mes faktorit politik shqiptar për sa i përket zgjedhjeve presidenciale ashtu dhe atyre parlamentare. Është e rëndësishme të theksohet së e ardhmja e Maqedonisë, stabiliteti i saj demokratik, projektimi i saj në rajon dhe ankorimi në rrjedhat euro-atlantike, do të varen shumë nga mënyra se si zbatohet Marrëveshja e Ohrit”, theksoi më tej Bushati.
 
Modernizimi i Maqedonisë mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të konceptit për bashkëpunim mes dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, si bashkësi etnike shtetformuese, ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” ministri i jashtëm, Ditmir Bushati.
 
NERMIN  MULAKI-FEJZULLAHU