MAQEDONI

Homazhe në nderim të dëshmorëve të kombit

05.05.2014 18:54

Në ditën e dëshmorëve të kombit, SHVL-UÇK-ja dhe përfaqësuesit e brigadave, të shoqëruar nga familjarët e dëshmorëve...

Në ditën e dëshmorëve të kombit, SHVL-UÇK-ja dhe përfaqësuesit e brigadave, të shoqëruar nga familjarët e dëshmorëve, kanë bërë homazhe që në orët e para të mëngjesit, që nga Struga deri në Likovë.
 
Përfaqësuesit e brigadave të UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe përfaqësuesit e komunave shqiptare, kanë vendosur kurora lulesh në të gjitha varrezat e dëshmorëve të atdheut me mesazhin se dëshmorët e kombit do të nderohen gjithmonë, sepse ata dhanë jetën, që në të ardhmen gjeneratat e reja të kombit shqiptarë të kenë një jetë më të mirë, të jetojnë të lirë e të barabartë me të gjithë të tjerët.
 
Të gjithë përfaqësuesit e brigadave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, janë takuar pasdite në Tetovë, për të nderuar bashkërisht bijat dhe bijtë më të mirë të kombit të rënë nën emblemën e UÇK-së.
 
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që janë ata, sot është një ditë ku kujtohen të rënët për liri, sot është një ditë që të gjithë bashkëluftëtarët ndjejnë për obligim të jenë pranë varrezave të bashkëluftëtarëve të tyre, pranë familjeve të tyre, me çka kujtojmë veprimtarinë e bujshme, veprimtarinë atdhetare të luftëtarëve, të djemve dhe vajzave që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për ditë më të mira, që popullit që i kanë takuar ata të mos ketë vuajtje dhe tragjedi, të mos ketë shtypje dhe dhunime, të jetë i barabartë në mesin e të barabartëve, të jetojnë të lirë si gjithë popujt përreth. Kjo është një ditë e homazhit, është një ditë kujtimi, i kujtojmë të gjithë ata që mbetën të ri dhe do mbesin ashtu siç kanë rënë, mosha e tyre nuk plaket, jeta e tyre nuk ka përfunduar, ata vetëm fizikisht nuk janë, por shpirtërisht jetojnë në shpirtin e kombit, jetojnë sa do të jetojë kombi dhe nuk do të harrohen asnjëherë”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
MIFTAR EMINI