Maqedoni

Rivotimi në Tearcë nuk i ndryshon rezultatet

26.12.2016 12:24

Rezultatet përfundimtare të KShZ-së për rivotimin në fshatin Tearcë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Maqedonisë 2016...

Rezultatet përfundimtare të KShZ-së për rivotimin në fshatin Tearcë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Maqedonisë 2016 flasin për një jehonë të daljes së banorëve të Tearcës, nga 714 votues në listë, votuan 402 banorë me të drejtë vote, përllogaritur në përqindje 56,30%. Sipas rezultateve, LSDM ka marrë 245 vota, VMRO-DPMNE 149 vota. Tre fleta kanë qenë të pavlefshme.
 
VMRO për Maqedoninë ka 2 vota, ndërsa BDI, PDSh dhe “Aleanca për shqiptarët” kanë nga 1 votë. Rivotimi i  djeshëm nuk ka ndryshuar numrin e deputetëve të të dyja blloqeve politike maqedonase dhe raporti në numra deputetësh mbetet për LSDM-në 49, ndërsa për VMRO-në 51 deputetë.
 
Rezultatet përfundimtare të dala nga zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të duhet që zyrtarisht t’i certifikojë duke i përkthyer në numra mandatesh të fituara për secilën parti politike garuese në zgjedhjet. LSDM nuk ka arritur të përmbysë rezultatin, konkretisht t’ia marrë një deputet VMRO-së, e cila vazhdon t’i ketë 51, ndërsa LSDM 49. 
 
Deputeti i Lidhjes Socialdemokrate, Petre Shilegov, doli me deklaratë publike në të cilën nuk dha detaje për rezultatet e votimit në Tearcë, por tha se banorët e Tearcës votuan për ndryshime, për jetë në Maqedoni, pa marrë parasysh presionet që u bëheshin.
 
“Ata me votën e tyre kërkuan institucione të përgjegjshme, Qeveri e cila do t’u përgjigjet nevojave të banorëve të Maqedonisë. Nga Tearca, banorët dhanë mesazhin e njëjtë sikurse të tjerët në Maqedoni, se do të ketë Qeveri që jep llogari që do të zbatojë reformat demokratike në vend”,- tha Shilegov.
 
Ai tha se votimi është simbolikë dhe nuk do të ndikojë në formimin e Qeverisë së ardhme të Maqedonisë dhe qe është i bindur se partia e tij do ta formojë Qeverinë e ardhshme në vend. 
 
Në ndërkohë për VMRO-DPMNE-në zgjedhjet kanë përfunduar qysh më 11 dhjetor. “Sot edhe ne, sikurse mbarë opinioni, kuptuam se edhe përkundër të gjitha përpjekjeve, banorët e Tearcës e penguan tentimin për manipulim zgjedhor. Si fitues të zgjedhjeve mbetemi të përkushtuar në hapat e ardhshëm rreth formimit të qeverisë së re”,- thuhet në njoftimin për shtyp të VMRO-DPMNE-së.