Botë

Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur, Bujar Lako

26.12.2016 13:33

Ndahet nga jeta në moshën 68 vjeçare si pasojë e një ataku kardiak aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Bujar Lako...

Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973.
 
Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” dhe “Përballimi” . Pas kësaj, ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve: “Gjeneral gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Ballë për ballë”,, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Amiko”.
 
Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit”, “Monserati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Vdekja e Dantonit”, “Ditë vere”, “Ariu” etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët”.
 
Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”, në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”.
 
Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”.
 
Në vitin 1979 është laureuar me çmimin e Republikës së shkallës së parë për filmat “Gjeneral grarnafoni” dhe “Ballë për ballë”.
 
Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” - klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”. Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i merituar”.
 
Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival”, me filmin “Megic Eye”, të regjisorit Kujtim Çashku.
 
Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga presidenti i Republikës.