Botë

BDI: Të krijojmë një platformë të përbashkët; BESA: Ridefinim të plotë të shtetit; “Aleanca për shqiptarët”: Dygjuhësi, decentralizim dhe Gjykatë Speciale

26.12.2016 17:10

Pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe numrit të qartë të mandateve në Kuvendin e ardhshëm...

Pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe numrit të qartë të mandateve në Kuvendin e ardhshëm, partitë politike të bllokut shqiptar mbeten në qëndrimet e tyre për të realizuar premtimet e tyre parazgjedhore.
 
Nga BDI thonë se akoma nuk kanë filluar negociata me partitë maqedonase teksa do të përpiqen të harmonizojnë qëndrimet me bllokun politik shqiptar rreth krijimit të një platforme të përbashkët.
 
“Ne me të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona jemi të fokusuar në unifikimin e faktorit politik shqiptar. Takimi i para dy ditësh mes krerëve të BDI-së dhe “Aleancës për shqiptarët” është ajo për të cilën ne angazhohemi gjithnjë duke lënë derën hapur edhe duke ju drejtuar edhe subjekteve tjera shqiptare të mandatuara në zgjedhjet e 11 dhjetorit që t’i bashkëngjiten idesë së BDI-së për unifikimin e faktorit politik shqiptar, që t’i bashkëngjiten platformës sonë për barazi, respektivisht doktrinës së BDI-së për barazi të plotë të shqiptarëve në RM”,- deklaroi Xhevat Ademi nga BDI.
 
Nga Lëvizja BESA thonë se do të ulen në bisedime me të gjithë ata që janë të gatshëm për të pranuar programin e saj, por do të refuzojnë bisedimet me të dyshuarit për abuzim me pushtetin.
 
“Ne kemi paraparë tre parakushte dhe njëra prej tyre është hapja e diskutimeve për redefinimin e plotë të këtij shteti dhe ata që do ta kishin pranuar këtë temë, ne do të ishim të gatshëm të ulemi në bisedime, mirëpo me këtë lidership të VMRO-DPMNE-së nuk ka asnjë shanc që ne të formojmë qeverinë e ardhshme. Për të njëjtën arsye ne kemi refuzuar edhe takimin e së shtunës, pasi që ai takim u thirr nga persona të cilët janë të dyshuar nga PSP dhe nga afera e ashtuquajtur “Maxhar Telekom””,- tha Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.
 
Edhe nga Koalicioni për shqiptarët ripërsërisin kushtet e tyre dhe pa plotësimin e tyre, siç thonë, nuk do të jenë pjesë e asnjë formati qeveritar.
 
“Kushtet janë të numëruara në programin tonë, z. Sela i ka përsëritur, d.m.th. dygjuhësia, decentralizimi fiskal me prerje lokale, më pas PSP absolutisht të funksionojë, të bëhet një Gjykatë Speciale, me një fjalë të dënohen të gjithë ata që kanë bërë krime në të kaluarën, jo vetëm 10 vite, por edhe 25 vite mbrapa kush ka bërë krime, të përgjigjet. Këto janë pikat kyçe që i kemi në program dhe pa të cilat as që duam të diskutojmë”,- u shpreh Arben Taravari nga “Aleanca për shqiptarët”.
 
Ndërkohë, edhe krahas përpjekjeve të redaksisë, nuk arritëm të marrim qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare lidhur me pozicionimin e tyre pas mbylljes së procesit zgjedhor.
 
NAIM RAMADANI