Maqedoni
Zgjedhjet 2016, LPM me nismë për shfuqizimin e rezultatit
26.12.2016 17:32
Lëvizja Popullore për Maqedoninë konteston zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kryetari i LPM-së, Janko Baçev...

Lëvizja Popullore për Maqedoninë konteston zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kryetari i LPM-së, Janko Baçev, dorëzoi padi në Gjykatën Themelore Shkupi 2 për prishjen e 7 listave për kandidatë dhe të rezultatit zgjedhor.
Baçev pretendon se partitë shqiptare kanë dorëzuar listat e deputetëve vetëm në shqip dhe kjo gjë, sipas tij, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Në rast mosprocedimi të padisë nga Gjykata Themelore Shkupi 2, Baçev thotë se drejtësinë do ta kërkojë në Strasburg.
“Njëra është lista e kandidatëve të VMRO-së për Maqedoninë, dy lista joligjore ka “E majta”, Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi ka përfshirë edhe dy shoqata si dhe të gjitha partitë shqiptare, BDI, PDSh, BESA dhe “Aleanca për shqiptarët” kanë sjellë listat e tyre vetëm në gjuhën shqipe dhe në mënyrë joligjore në pesë njësitë e para zgjedhore edhe pse ligji është i qartë, përcakton parimin e 20%. Nëse nuk kemi sukses në terrenin vendor, e vetmja mundësi na mbetet në gjykatat ndërkombëtare. Do ta hedhim topin në terren ndërkombëtar, ta kërkojmë drejtësinë në Strasburg”,- deklaroi kryetari i LPM-së, Janko Baçev.
GAZMEND KURTISHI
