Maqedoni

KShZ: Rivotimi në Tearcë pa ndryshim mandatesh

26.12.2016 17:54

Rivotimi në Tearcë u përsërit, por numri i deputetëve ngeli i njëjtë. VMRO-DPMNE 51 deputetë, ndërsa socialdemokratët kanë siguruar 49 ulëse në Kuvend...

KShZ njoftoi se në vendvotimin 2011 në Tearcë, 402 votues nga gjithsej 714 persona me të drejtë vote, gjegjësisht dje, ka pasur vetëm dy votues më pak në krahasim me zgjedhjet e 11 dhjetorit.  
 
“Në bazë të rezultateve përfundimtare për njësitë zgjedhore 1, 2, 3, 4 dhe 5 dhe rezultateve të para për njësinë e gjashtë, ndarja e mandateve mbetet siç vijon: VMRO–DPMNE 51 mandate, LSDM 49 mandate, BDI 10 mandate, BESA pesë mandate, “Aleanca për shqiptarët” tre mandate dhe PDSH dy mandate”,- tha kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
 
Pas rivotimit të së dielës reaguan partitë politike maqedonase.  VMRO-DPMNE përsëriti qëndrimin se për ata zgjedhjet kanë përfunduar më 11 dhjetor.
 
“Ne dhe gjithë opinioni kuptuam se edhe përkundër të gjithë tentimeve, banorët e Tearcës e penguan tentimin për “inzhiniering paszgjedhor”. Si fitues të zgjedhjeve mbetemi të përkushtuar në hapat e ardhshëm për formimin e qeverisë”,- thonë nga VMRO-DPMNE. 
 
Rivotimi në Tearcë ishte pasqyrë e vullnetit të përgjithshëm të votuesve në Maqedoni, tha lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, në një postim në rrjetet sociale.
 
Fitorja e shumicës së qytetarëve të vendit të cilët votuan për ndryshime u vërtetua edhe në Tearcën multietnike. Urimet më të sinqerta për qytetarët e Tearcës, të cilët me votën e tyre, në mënyrë precize, e vërtetuan disponimin e përgjithshëm në Maqedoni. Maqedonia dhe Tearca zgjodhën ndryshime dhe jetë”,- u shpreh Zaev. 
 
SANIJE DURAKU