Maqedoni
KShZ nesër ia dorëzon Kuvendit raportin për zgjedhjet
27.12.2016 12:43
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të mërkurën deri te Kuvendi Republikan do ta dorëzojë raportin për rezultatet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të mërkurën deri te Kuvendi Republikan do ta dorëzojë raportin për rezultatet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe mandatet e fituara, pas çka pritet të caktohet data e konstituimit të përbërjes së re të Parlamentit.
Seancën konstituive e konvokon kryetari i Kuvendit nga përbërja paraprake më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve të mbajtura, në rastin konkret deri më 31 dhjetor.
Në qoftë se nuk caktohet seancë konstituive në afatin e paraparë, deputetët vetë mblidhen dhe e konstituojnë Kuvendin në ditën e 21 nga dita e përfundimit të zgjedhjeve.
Seancën e konvokon deputeti i zgjedhur më i vjetër sipas moshës, ndërsa nëse edhe ai refuzon ta konvokojë, kjo e drejtë i kalon deputetit tjetër me radhë të zgjedhur, e deri tek deputeti i zgjedhur i cili do të dakordohet ta konvokojë seancën e parë.
Kuvendi mund të konstituohet nëse në seancë marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur, ndërsa pasi që të konfirmohet kuorumi, zgjidhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për verifikim të Kuvendit.
Mandatin e deputetëve Kuvendi i verifikon në seancë konstituive me propozim të Komisionit për verifikim, të cilin e zgjedh Kuvendi në seancë konstituive me propozim të kryesuesit.
Ndryshe, këto zgjedhje rezultuan me rezultat të ngushtë në bllokun maqedonas, ku VMRO-DPMNE fitoi 51 deputetë, LSDM 49, BDI 10, BESA pesë, “Aleanca për shqiptarët” tre dhe PDSh dy deputetë.
Rezultati i ngushtë ka bërë që edhe VMRO edhe LSDM të pretendojnë formimin e qeverisë.
Dhe marrë parasysh se partitë e bllokut shqiptar pretendojnë të marrin njërin nga tre postet më të larta shtetërorë, seanca konstituive, përkatësisht zgjedhja e kryeparlamentarit, mund të zbulojë nëse partitë shqiptare kanë përafruar qëndrimet me ndonjërin nga kampet politike maqedonase.
