Botë

Rezoluta e OKB-së, Izraeli thotë se ka prova për përfshirjen e Obamës

27.12.2016 13:02

Izraeli përshkallëzoi më tej luftën e ndezur me administratën amerikane në largim, me pretendimet se ka prova të qarta se Barack Obama...

Izraeli përshkallëzoi më tej luftën e ndezur me administratën amerikane në largim, me pretendimet se ka prova të qarta se Barack Obama ishte personi pas rezolutës së OKB-së që kritikon politikat izraelite për kolonitë. Izraeli kërcënoi se këto prova do ia dorëzojë Donald Trampit.
 
Komentet e fundit vijnë pasi ambasadori amerikan në Izrael, Dan Shapiro, u thirr nga kryeministri, Benjamin Netanjahu, për të shpjeguar pse ShBA nuk përdori veton dhe abstenoi në votimin e Këshillit të Sigurimit.
 
Administrata Obama i mohoi akuzat e Netanjahut, por gjithnjë e më shumë zëra kanë deklaruar për mediat se kanë prova për përfshirjen e Obamës në miratimin e rezolutës. Ata akuzojnë ShBA-në se kërkoi rezolutën dhe ndihmoi hartimin e saj.
 
Lëvizja e Izraelit për të paraqitur prova për një president në fuqi tek ai që do ta pasojë është e paprecedentë, megjithëse edhe nëse ndodh, vështirë se ka ndonjë pasojë për Obamën. Por, tregon se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie me rrezik të lartë të Netanjahut për të lidhur të ardhmen e Izraelit me një president të zgjedhur dhe të paparashikueshëm republikan, por që nuk kursen mbështetjen për këtë vend. 
 
Më herët, Netanjahu urdhëroi Ministrinë e Jashtme që të kufizojë përkohësisht raportet e punës me ambasadat e 12 vendeve që votuan pro rezolutës. ShBA nuk është mes kësaj liste, një sinjal që Netanjahu i ka tashmë sytë tek administrata e re amerikane.
 
GYLTENE SINANI