Maqedoni
Paketat e festave, plotësohet dëshira e 60 fëmijëve pa prindër
27.12.2016 14:08
Në prag të festave, çdo fëmijë pret dhuratën e Vitit të Ri....

Më shumë nevojë për dhurata të tilla kanë fëmijët që rriten pa prindërit biologjikë, sepse pikërisht gjatë festave ata kanë më shumë nevojë për dashuri. Lejla është nëna përkujdesëse e katër fëmijëve. Ajo thotë se nuk e ka të vështirë të kujdeset për ta dhe mundohet t’ua plotësojë dëshirat.
“Fëmijët kanë dëshirë të marrin diçka, nga një kukull apo rroba, ata gëzohen për secilën gjë”,- tha nëna përkujdesëse, Lejla Shabanovska.
Për t’ua bërë sa më të bukur Vitin e Ri 60 fëmijëve që jetojnë në familje përkujdesëse, edhe sivjet, në të 8 vit me radhë, u përkujdes Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit në bashkëpunim me “Ramstor Mall”.
“Të udhëhequr nga ideja se çdo qenie njerëzore, sidomos fëmijët, kanë nevojë të ndjehen mirë dhe të lumtur sidomos gjatë festave të fundvitit, Qendra për Punë Sociale, e mbështetur nga Banka Komerciale, organizoi një ngjarje të Vitit të Ri për fëmijët e vendosur në familje kujdestare”,- u tha nga Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit.
“Fëmijët prej 3 deri në 12vjeç që jetojnë në familje përkujdesëse shkruajnë dëshira për Vitin e Ri dhe presim që ndonjë kompani apo qytetar t’i plotësojë këto dëshira. Në projektin e sivjetmë janë përfshirë rreth 60 fëmijë që morën dhuratat e tyre”,- tha koordinatorja për familjet përkujdesëse, Mirjana Grueska.
Shumë donatorë, vullnetarë dhe qytetarë u përfshinë në projektin e Kryqit të Kuq të Shkupit për t’ua plotësuar dëshirat këtyre fëmijëve, për t’u treguar se dashuria nuk ju mungon, sidomos në këto ditë festive.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
