Maqedoni

160 të vdekur në aksidente gjatë 2016, KRSKRR: Kujdes, mos i shndërroni festat në tragjedi

27.12.2016 14:32

Në vigjilje të festave të fundvitit, Këshilli Republikan për Siguri të Komunikacionit Rrugor u apelon shoferëve për më shumë kujdes gjatë vozitjes...

Njëherit apelohet deri te pjesëmarrësit në komunikacion për qetësi, fokusim, të vozisin të pushuar, me planifikim paraprak të udhëtimit dhe me pauza të rregullta gjatë udhëtimit.
 
"Përgatiteni automjetin, sigurohuni se në të keni batanije, llambë xhepi dhe komplet për dhënie të ndihmës së parë, gjegjësisht të gjitha mjetet e nevojshme në rast të aksidentit! Nëse udhëtoni me fëmijë në automjet, sigurojuni atyre udhëtim të sigurt, me ç'rast t'u siguroni ulëse adekuate për fëmijë! Kontrollojeni ngarkesën para se të niseni në rrugë!",- janë disa nga këshillat për shoferët.
 
Apeli më i rëndësishëm deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion - shoferët, këmbësorët, çiklistët, motoçiklistët, - është që të mos merret pjesë në komunikacion në rast të konsumimit të alkoolit.
 
"Pa dallim se në çfarë mënyre merrni pjesë në komunikacion, kusht i vetëm që të mbërrini sigurt deri në destinacionin e dëshiruar është që të mos konsumoni alkool, për shkak se alkooli është një prej arsyeve kryesore për shkaktim të aksidenteve në trafik me pasoja vdekjeprurëse. Statistika flet se në vitin 2016 më shumë se 160 persona e kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Të mos lejojmë që këto festa të shndërrohen në tragjedi familjare të dikujt! Merrni pjesë me përgjegjësi në komunikacion!",- apelojnë nga KRSKRR-ja deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, duke ju uruar udhëtime të sigurta, me dëshira për t’i gëzuar festat e fundvitit.
 
REJHANE BUSHI-METAJ