Maqedoni

Ndotja e ajrit, qytetarët: Po përkeqësohet nga viti në vit

27.12.2016 16:07

Ajri i ndotur vazhdon te jetë shqetësim i qytetareve të Shkupit. Shqetësuese janë edhe shifrat zyrtare për 1200 raste vdekje në vit nga ndotja...

Qytetarët e anketuar nga TVM-2 vlerësojnë se ndotja e ajrit viteve të fundit është përkeqësuar dukshëm për shkak të numrit të madh të veturave të importuara nga Europa e që nuk i plotësojnë standardet ekologjike nga ndërtimi i pallateve të shumta që po zvogëlojnë hapësirat e gjelbra, nga komunikacioni i shtuar rrugor, përdorimi për ngrohje i  mbetjeve të mobileve dhe vajrave të ndryshëm, por edhe nga industria.
 
“Viteve të fundit është katastrofë, nuk e di sikur të kemi termoelektranat e Obiliçit këtu”,- tha një qytetar.
 
“Të gjitha veturat e prishura që nuk përmbushin standardet ekologjike nga Europa u sollën  tek ne. Mendoj se disa fabrika në Shkup vazhdojnë të djegin goma gjatë mbrëmjeve dhe këta dy faktorë janë kryesorë për ndotjen e lartë të ajrit. Në këtë periudhë duhet menduar për ngrohje qendrore për të gjithë”,- tha një qytetar.  
 
”Punimet ndërtimore dhe ndërtesa të shumta të ndërtuara në çdo cep ngulfatin Shkupin dhe janë ndër shkaktarët kryesorë për ndotjen e lartë të Shkupit”,- theksoi një qytetare.
 
“Mendoj se nevojiten persona të aftë që do të marrin situatën në kontroll dhe do të bëjnë diçka në këtë drejtim”,- u shpreh një qytetare.
 
Ndaj ndotjes së ajrit ka reaguar edhe politika. RDM kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të ndotjes enorme. 1200 raste të vdekjeve dhe humbjeve financiare prej 250 milionë euro në vit si rezultat i ajrit të ndotur, janë më se evidente, thonë nga kjo parti, duke propozuar edhe masa konkrete urgjente për të dalë nga kjo situatë.
 
“Në kushte të pranisë 20 herë më të madhe nga e lejuara e grimcave PM10, RDM insiston në realizimin e masave urgjente: transport  publik pa pagesë me vendosjen e më shumë autobusëve në qarkullim, vendosje të tarifës energjetike ditore të lirë për amvisëri, vendkalim për këmbësorë dhe për biçikleta në qendër, ndalim për qarkullimin e veturave nën standardin euro 4 në komunikacionin e kryeqytetit”,- deklaroi zëdhënësja e RDM-së, Maja Moraçini.
 
Ka reaguar edhe LSDM. “Nuk po merret asnjë masë efektive edhe përkundër klinikave të mbushura plot me fëmijë dhe qytetarë të sëmurë dhe kjo është papërgjegjësi totale”,- thonë nga LSDM.
 
Sipas tyre, një nga masat është gazifikimi, por edhe aktualisht BEG dhe “Ngrohtorja” duhet të motivojnë qytetarët që të ngrohen me ngrohje qendrore, në vend që t'i detyrojë të shkyçen për shkak të kushteve të këqija të ofruara.
 
Në vend të milionave të harxhuara për fasadat barok, monumentet dhe rrotën panoramike, është mirë të subvencionohen qytetarët për paleta, thonë nga LSDM. 
 
REXHEP QAMILI