KShZ nesër mandaton deputetët e rinj

27.12.2016 16:42

Asnjë nga pjesëmarrësit në zgjedhje nuk është ankuar deri te KShZ....

Asnjë nga pjesëmarrësit në zgjedhje nuk është ankuar deri te KShZ për parregullsi gjatë rivotimit në vendvotimin 2011 në komunën e Tearcës.

Nëse pjesëmarrësit në zgjedhje nuk parashtrojnë ankesa, kjo do të thotë se rezultatet e publikuara mbeten përfundimtare dhe deputetët e ri mund t’i marrin certifikatat për mandatin e fituar në zgjedhjet e 11 dhjetorit, njoftojnë nga KShZ.

“Në qoftë se pas skadimit të afatit për parashtrimin e ankesave mbetet e njëjta gjendje, përkatësisht nëse nuk kemi ankesa, kjo do të thotë se edhe rezultatet për njësinë e gjashtë zgjedhore do të jenë përfundimtare. Kjo do të thotë se gjatë ditës së nesërme  deputetëve do t’u shpërndahen certifikatat për mandatin e fituar”,- tha Lupka Guguçeska nga KShZ.

Sido që të jetë, KShZ nesër do t’i shpërndajë certifikatat në njësitë zgjedhore ku është përmbyllur procesi zgjedhor, ndërsa certifikatat do t’i marrin edhe ata të njësisë së gjashtë, por vetëm nëse nuk ka ankesa të parashtruara nga pjesëmarrësit në zgjedhje në afatin e përcaktuar me ligj.

“Për njësitë zgjedhore një, dy, tre, katër dhe pesë rezultatet tanimë janë përfundimtare. Kjo do të thotë se KShZ nesër për këto njësi do t’i shpërndajë certifikatat. Në qoftë se edhe për njësinë e gjashtë zgjedhore bëhen përfundimtare gjatë ditës së nesërme, atëherë edhe ata deputetë do t’i marrin nesër certifikatat”,- theksoi Lupka Guguçeska nga KShZ.

Në qoftë se ndodhë që ndonjë nga pjesëmarrësit në rivotim në vendvotimin 2011 në Tearcë të parashtrojë ankesë, KShZ është e detyruar që në afat prej 48 orësh të vendos lidhur me to, ndërkaq edhe parashtruesit sipas ligjit kanë afat prej 24 orësh të ngritin procedurë deri në Gjykatën Administrative dhe e njëjta të prononcohet në afat prej 48 orësh.

Sipas KShZ-së, me publikimin e rezultateve finale dhe shpërndarjen e të gjitha certifikatave përmbyllet plotësisht edhe procesi zgjedhor për zgjedhjet e 11 dhjetorit. (Naim Ramadani, TVM2)