Maqedoni
Humaniteti në vepër, bëhet me shtëpi familja Ibrahimi nga Gostivari
27.12.2016 16:53
Familja pesëanëtarëshe Ibrahimi nga Toplica e Gostivarit më në fund është bërë me kulm mbi kokë...

Familja pesëanëtarëshe Ibrahimi nga Toplica e Gostivarit më në fund është bërë me kulm mbi kokë, falë Shoqatës humanitare “Dora e ngrohtë” dhe Shoqatës “Toplica” nga Gostivari, të cilat ndihmuan këtë familje për të ndërtuar këtë shtëpi që edhe ata të bëjnë një sy gjumë rehat si gjithë familjet tjera.
Ndërtimi i shtëpisë ka filluar që nga muaji i Ramazanit deri më tani, por shoqatave u kanë ndihmuar në këtë mision fisnik edhe disa biznese të vogla të Gostivarit.
“Jemi tepër të lumtur që mbaruam këtë projekt. Nuk e di se sa familjarët janë të kënaqur, por ne e kemi bërë maksimumin për të arritur qëllimin tonë. Ne kemi filluar nga Ramazani deri më tani, ka pesë - gjashtë muaj, normal ndihmës të tjerë na kanë ndihmuar, edhe bizneset e vogla, rrethina e Pollogut, pastaj ndihmesën kryesore na kanë dhënë nga Shoqata “Toplica””,- tha Mimoza Lumani nga Shoqata humanitare “Dora e ngrohtë”.
Zonja e shtëpisë, Zemrije Ibrahimi, falënderon të gjithë ata që iu dolën në ndihmë dhe që u dhanë një mundësi më shumë të ndjejnë dorën e ngrohtë të njerëzve humanë.
“Deri më tani jam shumë e kënaqur që na kanë ndihmuar Shoqata “Dora e ngrohtë”, motra Mimoza dhe të gjithë bashkëfshatarët që kanë ndihmuar, jam shumë e lumtur. Duhet edhe disa gjëra, po sipas mundësive, por e falënderoj, se deri më tani shumë mirë është bërë, shumë e gëzuar jam”,- u shpreh Zemrie Ibrahimi.
Ky është aktiviteti i parë i kësaj shoqate, i cili u përmbyll me mjaft sukses për një periudhë fare të shkurtër. Ata premtojnë se do të vazhdojnë t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.
VISARI SADIKI
