Maqedoni

Rasti “Kumanova”, Prokuroria Publike vazhdon me shpalosjen e dëshmive të koduara

27.12.2016 18:02

Seanca gjyqësore për “Grupin e Kumanovës”, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj...

Seanca gjyqësore për “Grupin e Kumanovës”, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj, edhe sot u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi që Prokuroria Publike shpalos provat, gjegjësisht provat materiale të grumbulluara nga ana e MPB-së.  
 
Prokuroria Publike në seancë ka prezantuar disa biseda telefonike të cilat sipas Prokurorisë janë zhvilluar mëngjesin e 9 majit. Tashmë disa seanca janë duke vazhduar me leximin e bisedave të transkriptuara.
 
Jozyrtarisht, leximi ka arritur vetëm në stadin e parë, apo analizimi i komunikimeve të grupit para kryerjes së aktit. Deri në përfundimin e tyre do të ketë edhe disa seanca, numrin e të cilave nuk e përcakton as vetë mbrojtja.
 
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kësaj here thonë se të akuzuarit nuk janë torturuar dhe nuk kanë ankesa për sa i përket transportimit të tyre.
 
Deri tani, të akuzuarit e kanë hedhur poshtë akuzën për terrorizëm. Në 6 seancat e deritanishme për rastin e Kumanovës, si dëshmitarë kanë qenë të thirrur banorë të Lagjes së Trimave.
 
SANIJE DURAKU