Botë

Situata në Siri, marrëveshje Turqi-Rusi për t’i dhënë fund luftës

28.12.2016 12:09

Turqia dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje armëpushimi për Sirinë, e cila sipas palëve përbën edhe hapin e parë për gjetjen e zgjidhjes së konfliktit...

Lajmi është komunikuar fillimisht nga media shtetërore turke, ndërkohë që pritet hyrja e tij në fuqi në mesnatën e sotme.
 
Plani synon që të zgjerojë përpjekjet e nisura në Alepo për evakuim paqësor të rebelëve që kundërshtojnë qeverinë e presidentit, Bashar al-Assad, si dhe të personave që kanë mbetur të plagosur.
 
Pakti i firmosur do t’u paraqitet gjatë orëve në vijim përfaqësuesve nga qeveria dhe opozita siriane. Nëse këta të fundit do ta pranojnë, atëherë Turqia dhe Rusia janë gati që të drejtojnë një proces politik për të ndërmjetësuar dialogun mes palëve.
 
Gjithmonë nëse do të ketë një dakordësi, diskutimet do të mbahen në kryeqytetin e Kazakistanit. Kjo nuk është hera e parë që ndërkombëtarët arrijnë një marrëveshje armëpushimi, por është hera e parë që Shtetet e Bashkuara anashkalohen në një marrëveshje të kësaj natyre.
 
Një akord i mundshëm kishte kohë që diskutohej, teksa jo më larg se një javë më parë ministrat e jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit u takuan në Moskë, ku firmosën principet bazike të paktit.
 
Në të gjitha rastet kur ka pasur marrëveshje, armëpushimi nuk ka zgjatur për shumë kohë, pasi janë vënë re shkelje të ndërsjella deri në shkatërrimin përfundimtar.
 
Edhe në procesin e fundit që u fut në fuqi në Alepo pati në shumë raste shkëmbim zjarri.
 
Megjithatë, me rimarrjen në dorë të këtij qyteti nga ana e qeverisë siriane, rebelët e kanë humbur një prej zonave që konsiderohej si zemra e rezistencës, ndaj nuk përjashtohet mundësia që ata të pranojnë të ulin armët.
 
LEUNORA KALIQI