KShZ dorëzon vërtetime për deputetët e rinj
Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve sot pasdite do të dorëzohen vërtetime për deputetët e ri të zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2016...

Kësaj here vërtetimet, siç kumtoi KShZ-ja, do t'u dorëzohen përfaqësuesve të autorizuar të koalicioneve dhe partive politike të cilët fituan vende deputetësh, e jo si deri tani personalisht deputetëve të sapozgjedhur.
Pritet pas dorëzimit të vërtetimeve Kuvendi ta kumtojë datën e mbajtjes së Seancës konstituive, e cila duhet të konvokohet më së voni deri të shtunën, më 31 dhjetor, në mesnatë. Seancën konstituive sipas paralajmërimeve do ta konvokojë dhe me të do të udhëheq kryetari i Kuvendit në largim, Trajko Veljanovski.
Nuk ka informacione nëse në seancën e njëjtë do të zgjidhen kryetari dhe zëvendëskryetarët e Kuvendit apo vetëm do të verifikohen mandatet e deputetëve.
Përbërja e nëntë e Parlamentit të Maqedonisë do ketë 120 deputetë. Kësaj here nuk do të ketë deputetë nga diaspora për shkak numrit të pamjaftueshëm të votave. Më shumë mandate fitoi Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE 51, Koalicioni i udhëhequr nga LSDM ka 49 mandate, BDI - 10, BESA - 5, Aleanca për Shqiptarët - 3 dhe PDSh - 2.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë është i obliguar në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit mandatin për krijimin e Qeverisë t'ia besojë ndonjë kandidati të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.
Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon krijimin e Qeverisë. Qeverinë me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit e zgjedh Kuvendi me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
