Botë
Kryeministri japonez në Pearl Harbour, thirrje për paqe dhe pajtim, jo kërkim falje
28.12.2016 13:54
Në vizitën historike në portin Pearl Harbor, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka shprehur ngushëllime për 2.300 viktimat...

Në vizitën historike në portin Pearl Harbor, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka shprehur ngushëllime për 2.300 viktimat që humbën jetën më datën 7 dhjetor të vitit 1941 si pasojë e sulmit të ushtrisë japoneze, teksa bëri edhe njëherë thirrje për paqe në mënyrë që evente të hidhura nga e kaluara, siç janë luftërat botërore, të mos përsëriten në të ardhmen.
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, Abe nuk kërkoi falje për sulmin, por dërgoi lutje për ata që ai i quajti viktima të pafajshme.
“President Obama, qytetarë të Shteteve të Bashkuara, por edhe të mbarë botës, unë si kryeministër i Japonisë ofroj ngushëllimet e mia të sinqerta dhe të përjetshme për shpirtrat e atyre që humbën jetën këtu si dhe të të gjithë burrave dhe grave që u bënë viktima të luftës. Nuk duhet t’i përsërisin asnjëherë tjetër histori të hidhura si luftërat botërore. Bota nuk ka më nevojë për urrejtje. Bota ka nevojë për shpirtin e tolerancës dhe të pajtimit, sidomos në këtë moment”,- deklaroi kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Presidenti amerikan, Obama, e falënderoi kryeministrin e Japonisë për vizitën dhe fjalët e tij.
“Ju falënderoj për fjalët e ngrohta dhe për prezencën tuaj këtu. Kjo është një vizitë historike, e cila simbolizon fuqinë e pajtimit dhe të aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Një shenjë e fortë kjo se plagët më të thella të luftës mund t’i hapin rrugën miqësisë dhe paqes”,- u shpreh presidenti në detyrë i ShBA-ve, Barack Obama.
LEUNORA KALIQI
