Ekonomi
Zgjidhen sipërmarrësit e vitit, çmimet - stimulim për bizneset e vogla dhe mikro
28.12.2016 14:27
Rëndësia dhe roli i ndërmarrjeve mikro dhe të vogla është i madh në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës...

Kjo u potencua edhe gjatë shpalljes së sipërmarrësve të vitit, manifestim që organizohet tradicionalisht, me qëllim që të stimulohen qytetarët, e sidomos të rinjtë, për t’u marrë me biznes.
“Jemi këtu të përkrahim në formë simbolike dhe të promovojmë ato sipërmarrës që shënuan vitin 2016, sepse suksesi i tyre është motivim për sipërmarrësit e rinj dhe sipërmarrësinë së vendit në përgjithësi për gjithë ata që kanë ide, mirëpo ende kanë dilema nëse ia vlen të investohet në vend”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Ndërmarrjet mikro dhe të vogla janë me rëndësi të përshëndeten, të stimulohen dhe të rriten, por edhe gjeneratat e reja ta shohin shembullin e tyre dhe normalisht të dëshirojnë të bëjnë hapin e tyre për të filluar me biznes”,- theksoi kryetari i LOE-së, Daniella Arsovska.
“Është numri i madh i atyre që meritojnë të shpërblehen për guximin e tyre për të marrë rreziqe në një kohë të tillë krize për iniciativën, planifikimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e aftësive të tyre për ta realizuar qëllimet e tyre të biznesit”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Driton Kuçi.
Në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, çmimi i parë iu dha ndërmarrjes “Sofa Studio” nga Shkupi dhe pronarin, Dejan Badarevski, ndërsa në kategorinë e sipërmarrësive mikro çmimin e parë e fitoi Hashim Hasani, pronar i Hotelit “Skardus”. Ata theksuan se marrja e këtyre çmimeve do të jetë motiv shtesë për të vazhduar punën e tyre me sukses edhe më tej.
“Ju falënderoj për respektin dhe kontributin e dhënë për biznesin tanë dhe shpresoj se kjo mirënjohje të jetë një motiv shtesë që ne edhe në të ardhmen edhe më shumë të investojmë dhe të risim biznesin në këtë sferë të ekonomisë”,- tha sipërmarrësi i vitit- kategoria e sipërmarrjeve mikro, Hashim Hasani.
“Ky çmim është vetëm një nxitje për ne, që më tej të punojmë me sukses. Për t’u bërë sipërmarrës i vitit, pas teje duhet të ketë një ekip të suksesshëm, i cili do t’i kuptojë idetë e menaxherëve dhe do t’i plasojë në treg”,- u shpreh sipërmarrësi i vitit - kategoria e ndërmarrjeve të vogla, Dejan Badarevski.
Manifestimi u organizua nga ana e OEMVP-së dhe Qendrës Kombëtare për Zhvillim të Inovacioneve dhe Mësimit Sipërmarrës, në bashkëpunim me Fondacionin Zhvillimor të Maqedonisë për ndërmarrjet dhe Lidhjen e Odave Ekonomike, ndërsa mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë.
ERSAN PAJAZITI
