Ahmeti: Dialogojmë vetëm me shqiptarët dhe ndërkombëtarët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Mats Stafanson...

Lideri i BDI-së, Ahmeti, dhe ambasadori Stafanson biseduan rreth zhvillimeve paszgjedhore në Maqedoni dhe prioritetet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të vendit.
Ahmeti shtjelloi qëndrimet programore të BDI-së, duke thënë se barazia në vend e bën shoqërinë më të qëndrueshme, ndërsa përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së emrit, integrimin, reformat, marrëdhëniet e mira ndëretnike duhet të marrin përsipër të gjithë.
Ahmeti nënvizoi se BDI është e fokusuar në bashkëpunimin me partitë parlamentare shqiptare rreth platformës së përbashkët kombëtare, ndërsa për momentin nuk zhvillon bisedime për koalicion qeverisës as me VMRO-në e as me LSDM-në, por dialogun e vetëm që po realizon BDI është me komunitetin ndërkombëtar dhe partitë shqiptare.
Kryetari Ahmeti dhe ambasadori Stafanson diskutuan edhe për zhvillimet gjeopolitike rajonale dhe globale si dhe ndikimin e tyre mbi Maqedoni.
