PREMIER LIGA

Liverpulli barazon, përshëndetet me titullin?!

06.05.2014 12:47

Edhe pse “të kuqtë” nga Enfilld Roud kishin epërsi prej 3 golave, në fund duheshe të pajtohen me barazim, duke mos shfrytëzuar rastin për të rikthyer epërsinë prej 3 pikëve ndaj Mançester Sitit….

Barazimi i Liverpullit sonte në transfertën ndaj Kristal Pallasit (3:3) mund ti kushtojë me titull skuadrës së trajnerit Brendon Roxhers e cila në këtë mënyrë shuan ëndërrën e kahmotshme për të rikthyer titullin në “Enfilld Roud” pas plotë 24 viteve.

Edhe pse “të kuqtë” nga Enfilld Roud kishin epërsi prej 3 golave, në fund duheshe të pajtohen me barazim, duke mos shfrytëzuar rastin për të rikthyer epërsinë prej 3 pikëve ndaj Mançester Sitit.

Xho Alen shënoi golin e parë për Liverpullin në minutën e 18-të, që njëherit ishte i vetmi i shënuar gjatë 45 minutave të para. Në fillimin e pjesës së dytë në skenë te skuadra mysafire doli dyshja e shkëlqyeshme e repartit të sulmit Daniel Starixh – Luis Suarez, të cilët në një interval kohor prej vetëm dy minutash (53’ -55’) shënuan edhe dy gola të tjerë për një epërsi komode të Liverpullit, 0:3.

Dhe kur të gjithë menduan se skuadra e trajnerit Roxhers do të arrijë fitoren e 26-të në kampionat, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi në vazhdim të ndeshjes vendasit u këndellën duke zhvilluar një ndër ndeshjet më të mira gjatë këtij sezoni në Premier Ligë.

Skuadra e Kristal Pallas në 20 minutat e fundit arriti të shënojë tre gola, edhe atë duke iu falënderuar një goli të shënuar nga Damien Delaney (79′) dhe një dopiete të realizuar nga Dëight Gayle (81′-88’).

Ky barazim nuk kishte edhe aq shumë vlerë për Kristal Pallasin, skuadër kjo e cila ka siguruar mbijetesën në elitën e futbollit anglez, por në anën tjetër mund të jetë fatal për skuadrën e Liverpullit, dke pasur parasysh se mund ti kushtojë me titull.

Aktualisht skuadra nga “Enfilld Roud” zë vendin e parë në renditjen tabelare të Premier Ligës me 81 pikë, një më shumë se Mançester Siti, që në anën tjetër ka edhe një ndeshje më pak. Liverpulli javën që vjen do të luajë me Njukasëll Junajtedin, ndërkohë në anën tjetër Mançester Siti në teren vendas në dy ndeshjet e mbetura do të mirëpret Aston Villan dhe Uest Hamin. (infOSport.mk)