Maqedoni

Debati në “Argument”, ekspertët: Qeverinë e formon koalicioni shumicë

28.12.2016 16:12

Në Maqedoni shpeshherë ligjet dhe Kushtetuta interpretohen gabimisht dhe kjo ndodh edhe me interpretimin e Kushtetutës...

Në Maqedoni shpeshherë ligjet dhe Kushtetuta interpretohen gabimisht dhe kjo ndodh edhe me interpretimin e Kushtetutës në pjesën që ka të bëjë me formimin e qeverisë së re, thonë ekspertët.
 
Eksperti juridik, Bekim Kadriu, në debatin “Argument” në TVM-2 sqaron se në Kushtetutë qartas potencohet se mandati i jepet partisë ose koalicionit që ka siguruar shumicë në Kuvend, ndërsa shumica në këtë rast nënkupton 61.
 
Sipas Kushtetutës, mandati për formim të Qeverisë duhet t’i besohet koalicionit që ka arritur shumicën dhe jo domosdoshmërisht VMRO-DPMNE-së që ka fituar më shumë deputetë. 
 
“Nëse VMRO-DPMNE që ka fituar zgjedhjet dhe ka 51 mandate në Kuvend në kontaktet e para nuk arrit të formojë shumicë për të formuar qeverinë,  jo domosdoshmërisht do të duhet ta marrë mandatin nga presidenti dhe e kundërta, nesër presidenti ka informata nga partitë politike dhe kjo sidomos është e rëndësishme nëse zgjidhet kryetari i Kuvendit, kryetari i Kuvendit ka afat 5-ditor të informojë presidentin e shtetit dhe i thotë: në Kuvend është arritur një shumicë parlamentare dhe duhet mandatin për ta formuar qeveria ta fitojë kjo shumicë parlamentare. Pra, mandatin për formim të qeverisë mund ta marrin edhe partitë tjera dhe jo domosdoshmërisht VMRO-DPMNE”,- deklaroi eksperti juridik, Bekim Kadriu.
 
Analistët politik, Abedin Zymberi dhe Ilir Luma, thonë se tani partitë shqiptare kanë komoditet të zgjedhin se me cilën parti maqedonase do të koalicionojnë, duke u bashkuar për të artikuluar më fuqishëm çështjet që tangojnë shqiptarët.
 
“As njëra e as tjetra parti maqedonase nuk ka komoditet, komoditeti i takon bllokut politik shqiptar. Ata janë ata që do të vendosin se cila parti politike maqedonase do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Kjo është ajo përparësi që u takon, që është shans historik i partive shqiptare që të jenë shumë vigjilentë në këtë aspekt dhe të përcaktohen se cilin drejtim do ta marrin”,- theksoi analisti, Ilir Luma.
 
“Shkuarja e BDI-së në koalicion me VMRO-në është vdekje për këtë parti. Nga ana tjetër koalicionimi i BDI-së me LSDM-në, nëse asgjë tjetër, për të bërë disa ndryshime kushtetuese, të vetmen anë pozitive është ajo që shteti do t’ia eliminojë të gjitha drejtoritë që i ka, do të bëhen ndryshime edhe nëse nuk votohet PPS, të gjitha procedurat do të shkojnë te PPS dhe mund të ngrenë padi për të gjithë kriminelët që na kanë dëmtuar”,- u shpreh analisti, Abedin Zymberi.
 
Sipas analistëve, Maqedonisë i nevojitet një qeveri e pakicës, e cila do të sjellë rezultate pozitive. 
 
“Duhet qeveri e pakicës. Ajo do të thotë se partitë politike shqiptare që kanë numër aq sa kanë mandate bashkë me partinë maqedonase që ka më pak vota se partia fituese, bëjnë qeveri që mund të funksionojë gjatë kohë me sukses, e cila mund ta shërojë shtetin, për të nxjerrë nga kriza edhe institucionet edhe shtetin”,- theksoi analisti, Ilir Luma.
 
“Formimi i kësaj qeverie me LSDM-në dhe me të gjitha partitë shqiptare, nëse arrihen të përfshihen në këtë qeverisje, besoj se do të jetë shumë pozitive në aspektin e marrëdhënieve ndërnacionale. LSDM është e vetëdijshme se pa rehabilitimin e shqiptarëve në nivel të barabartë nuk ka shtet”,- tha analisti, Abedin Zymberi.
 
“VMRO duhet të mbajë përgjegjësi për politikën e saj antishqiptare në këto 10-15 vite, ne nuk mund të dimë si do sillen të dyja palët në të ardhmen, por me VMRO-në do të kemi bllokim të procesit eurointegrues, pengesa të punës së PPS-së, kontroll të mediave dhe raste të montuara gjyqësore”,- deklaroi eksperti juridik, Bekim Kadriu.
 
Sipas panelistëve në “Argument”, është e shëndetshme që VMRO-DPMNE të shkojë në opozitë, ndërsa partitë politike shqiptare të shfrytëzojnë rastin dhe të mendojnë se punojnë në të mirë të votuesve shqiptarë.
 
SANIJE DURAKU