Ngrohja me dru, qytetarët: Është alternativa më e lirë
N. P. “Pyjet e Maqedonisë”: nga 3 janari, aplikimi për drunj për vitin e ardhshëm...

Ngrohja me dru mbetet alternativa më e lirë për qytetarët. Tymi i shporeteve ndoshta e ndot ajrin, por të paktën qytetarët thonë se u shpëton buxhetin familjar, pasi është më e leverdishme se ngrohja me energji apo me ngrohje qendrore.
“Ngrohemi me dru, më lirë është”,- u shpreh një qytetar.
“Me dru, por është ftohtë”,- tha një qytetar.
“Me rrymë ngrohemi”,- theksoi një qytetar.
“Me dru, mënyra me efikase dhe më e lirë”,- deklaroi një qytetar.
Përzgjedhja e drunjve si alternativë e parë për ngrohje, pa dyshim që gëzon ndërmarrjen publike Pyjet e Maqedonisë. Sasia e përgjithshme e shitur dhe e porositur e drunjve për 2016 është diku rreth 485 mijë metër kub thonë nga kjo ndërmarrje.
Drejtuesit e saj thonë se kanë përmbushur të gjitha kërkesat dhe pengesa ka pasur vetëm për 15 qytetarë të cilët kanë nënshkruar kontrata por që u janë kthyer paratë, pasi dorëzimi nuk është kryer në kohë. Pyjet e Maqedonisë aktualisht kanë shpallur thirrjen publike për blerjen e drunjve për ngrohje për vitin e ardhshëm.
“Të gjithë qytetarëve që do të aplikojnë dhe do të lidhin marrëveshje, Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” ua garanton çmimin dhe dorëzimin e drunjve në mënyrën që ata e zgjedhin. Çmimi nëpër depot tona është i njëjtë, 2.370 denarë ahu dhe 2.450 denarë dushku për metër kub”,- tha drejtori i N. P. “Pyjet e Maqedonisë”, Zharko Karaxhovski.
Personat fizik që synojnë të blejnë drunj në depot e Ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë” mund të aplikojnë nga 3 janari i 2017 dhe më së voni deri më 31 mars.
Për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve parashihet lirim deri në 10% nëse i blejnë drunjtë me para të gatshme. Gjithashtu do të kenë mundësi të blejnë deri në 8 këste pa lirim dhe transporti për këtë kategori qytetarësh është falas.
Afati për aplikim nëpërmjet shoqatave të pensionistëve, invalidëve dhe sindikatave është deri më 31 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa marrëveshjet fillojnë të zbatohen nga 1 shkurti. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
