Botë
Revizioni Shtetëror: Deputetët jo gjithnjë i arsyetojnë harxhimet
28.12.2016 17:21
Shpenzimet për udhëtime të deputetëve kanë marrë pjesën më të madhe të buxhetit të Kuvendit vitin e kaluar...

Shpenzimet për udhëtime të deputetëve kanë marrë pjesën më të madhe të buxhetit të Kuvendit vitin e kaluar, tregon raporti i Revizionit shtetëror, sipas të cilit duhet të rishqyrtohet mënyra e pagesës së transportit të deputetëve, pasi dyshojnë në saktësinë e faturave të dorëzuara.
Deputetët marrin 30 për qind të çmimit shitës për një litër karburanti për udhëtim me makinat personale deri në vendin e punës. Revizioni vlerëson se është e nevojshme të bëhet analizë e mënyrës së kompensimit të shpenzimeve të deputetëve për përdorimin e makinës personale për qëllime zyrtare, në aspektin e kostos reale.
Revizorët dyshojnë edhe në saktësinë e faturave të dorëzuara të udhëtimit jashtë vendit nga deputetët. Revizioni ka konstatuar se paratë për udhëtime zyrtare jashtë vendit nuk janë arsyetuar në mënyrë të përshtatshme dhe krijon rrezikun e shpenzimit të paspecifikuar të parave të taksapagueseve.
“Faturat për fondet e nevojshme për udhëtimet zyrtare nuk përmbajnë specifikime për shumën e mjeteve sipas llojeve të shpenzimeve (akomodim në hotel, transport shtesë, mëditjet dhe shpenzime tjera të paparashikuara) përmes të cilit përcaktohet përdorimi specifik i mjeteve devizore”,- bëjnë të ditur nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Në vitin 2015, deputetëve si kompensim për pjesëmarrje në mbledhje dhe në trupat punues të Kuvendit u janë paguar një milion e dyqind mijë euro.
Zgjerimi dhe përshtatja e Kuvendit nga viti 2010 – 2015 ka kushtuar mbi 16 milionë euro.
Janë nënshkruar anekse të kontratës bazë, për të cilën është dashur tender i ri, për shkak se nuk ka pasur të bëjë me punë të paparashikuara ndërtimore, siç ka njoftuar Kuvendi, konstaton Revizioni Shtetëror.
NAIM RAMADANI
