KShZ ndau çertifikatat për deputetë

28.12.2016 17:40

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u ndau çertifikata deputetëve që fituan mandat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit...

Çertifikatat i tërhoqën nga KShZ-ja përfaqësuesit e autorizuar nga partitë përkatëse. 
 
Kreu i KShZ-së njoftoi se ka hartuar raportin për realizimin e zgjedhjeve, i cili i është dorëzuar Kuvendit të RM-së. Përbërjen e re parlamentare do ta përbëjnë 120 deputetë, tre deputetë më pak krahasuar me përbërjen paraprake për shkak se në diasporë nuk fitoi asnjë kandidat. 
 
“Raporti për realizimin e zgjedhjeve është miratuar dhe gjatë ditës së sotme do të dorëzohet në Kuvendin e RM-së. Në harmoni me raportin, VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, Lëvizja BESA ka fituar pesë mandate, Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” ka fituar tre mandate, Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja ka fituar 49 mandate, BDI ka fituar 10 mandate dhe PDSh-ja ka fituar dy mandate. Emrat e deputetëve do të shpallen në ueb faqen e KShZ-së dhe janë pjesë përbërëse e Raportit që do të dorëzohet në Kuvend”,- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski. 
 
Përfaqësuesi i BDI-së, i autorizuar për tërheqjen e certifikatave, Arbër Ademi, i vlerësoi zgjedhjet korrekte, sipas standardeve europiane. Ai ftoi deputetët që të angazhohen për tejkalimin e krizës politike.   
 
“Më lejoni të konstatoj se procesi zgjedhor dhe dita e zgjedhjeve ishte në atmosferë të qetë dhe demokratike. Falënderoj qytetarët dhe institucionet, posaçërisht KShZ-në, që u angazhuan që të kemi zgjedhje të organizuara dhe të realizuara sipas normave dhe standardeve europiane. Falënderojmë edhe OSBE-ODIHR-in. Deputetëve u mbetet që të zgjidhim krizën politike dhe proceset reformuese që vendi të kthehet në rrugën euroatlantike”,- theksoi Arbër Ademi nga BDI.
 
Për LSDM-në, mbledhja e Kuvendit dhe formimi i qeverisë janë urgjente, pasi, sipas tyre, qytetarët duan të shohin ndryshimin. 
 
“Për shkak të situatës së ndjeshme në të cilën gjendet Maqedonia, desha të theksoj qëndrimin tonë se Kuvendi duhet të mblidhet në seancë konstitutive sa më shpejtë, që së shpejti të ndodh edhe formimi i qeverisë, pasi siç panë mediat dhe vetë qytetarët, votuesit votuan për ndryshime dhe presin ndryshime”,- u shpreh Stefan Bogoev nga LSDM.
 
Kuvendi do të mblidhet të premten në orën 13:00, ndërsa kryetari i Republikës në afat prej dhjetë ditë nga dita e konstituimit të Kuvendit duhet t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë partisë që ka fituar më shumë deputetë, përkatësisht VMRO-DPMNE-së.
 
Nëse mandatari nuk ia del të krijojë shumicë parlamentare brenda 20 ditëve dhe së bashku me programin për qeverisje t’ia dorëzojë Kuvendit, atëherë mandati kthehet dhe i jepet partisë së dytë fituese, përkatësisht LSDM-së, e cila po ashtu ka afat 20 ditë që të formojë shumicë parlamentare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)