Maqedoni
Rama këshilla politikës shqiptare: Përfaqësim sa më të plotë në ekzekutivin e ri
28.12.2016 17:53
Teksa partitë shqiptare në Maqedoni nuk kanë marrë ende një vendim për pjesëmarrjen në qeverisje, kryeministri, Edi Rama...

Teksa partitë shqiptare në Maqedoni nuk kanë marrë ende një vendim për pjesëmarrjen në qeverisje, kryeministri, Edi Rama, duket se ka vendosur t’u japë një paketë këshillash, që vendimi të jetë sa më i drejtë dhe i dobishëm.
Mediat në Tiranë bëjnë me dije se kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka përgatitur një dokument këshillues për të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni rreth qëndrimit të faktorit shqiptar.
Kryeministri, Edi Rama, sipas mediave të Tiranës, do t’ia përcjellë këtë letër drejtuesve të partive politike shqiptare gjatë takimit që do të zhvillojë këtë të enjte. Thelbi i paketës së këshillimit duket se ka të bëjë me një pjesëmarrje sa më të gjerë të partive shqiptare në qeverinë e re.
Në këtë mënyrë mësohet se Rama ka argumentuar se do të mund të ushtrohet presion pozitiv me qëllim mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Këtij dokumenti i ka paraprirë një takim që kryeministri, Edi Rama, ka zhvilluar me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, në Tiranë, pak kohë më parë, ku palët kanë folur për rolin përcaktues të shqiptarëve në qeverisje.
Përveçse me kryeministrin, në vizitën e tij të fundit në Tiranë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar edhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me atë të opozitës, Lulzim Basha.
LULJETA NDOKA
