Maqedoni
Gripi po bën kërdinë, mjekët presin shtim të numrit të pacientëve
28.12.2016 18:44
Brenda një muaji, rreth tetë mijë persona janë sëmurë nga gripi...

Mjekët supozojnë se numri i të prekurve nga gripi vazhdimisht mund të rritet. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, ka madje tetë herë më shumë të sëmurë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga Komisioni i sëmundjeve ngjitëse rekomanduan dezinfektim thelbësor të të gjitha çerdheve dhe shkollave, si dhe të të gjitha institucioneve publike shëndetësore ku ka pacientë të hospitalizuar.
“Atë që e apelojmë nëpër spitalet është reduktimi i numrit të vizitorëve, por jo ndalesë e plotë. Gjithsesi u preferojmë që t’i shmangen vendeve të frekuentuara me shumë njerëz sa më shumë që është e mundur gjatë kësaj periudhe”,- deklaroi drejtori i Klinikës për sëmundje infektive, Xvonko Milenkoviq.
Përveç pacientëve me grip, sipas mjekut Milenkoviq, është rritur edhe numri i njerëzve me infeksionet e zorrëve dhe infeksioneve të sistemit nervor qendror. Pikërisht dje ka qenë i hospitalizuar një fëmijë gjashtëvjeçar me meningjit viral, por gjendja e tij është stabile. Ndërkohë, nuk ka asnjë fëmijë tjetër të paraqitur me këtë sëmundje.
"Nuk ka të bëjë me meningit bakterial, por viral. Kemi konfirmim të qartë me teknologjinë më të fundit diagnostike. Momentalisht në këtë klinikë simpomatologjia respiratore nuk dominon mes pacientëve të shtruar. Kemi pacientë me infeksione në zorrë dhe sistemin qendror nervor”,- theksoi drejtori i Klinikës për sëmundje infektive, Xvonko Milenkoviq.
Mjekët shpresojnë që pushimi dimëror për nxënësit të ulë numrin e pacientëve me grip. Gjithsesi, ata paralajmërojnë që t’i përmbahen rregullave të higjienës, ajrosjen e shpeshtë të lokaleve, si dhe shmangien e vendeve të frekuentuara me shumë njerëz.
BELINDA KOKA-ADEMI
