Botë
Ndërhyrjet në zgjedhje, senatorët kërkojnë sanksione kundër Rusisë
29.12.2016 14:06
Tre senatorë amerikanë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë...

Tre senatorë amerikanë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj sulmeve kibernetike që Shtetet e Bashkuara pretendojnë se kanë bërë nga Moska, gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Senatorët republikanë, John McCain, Lindsey Graham dhe demokratja, Amy Klobuchar, thonë se ndërhyrja në procese të brendshme elektorale të një shteti tjetër është diçka e papranueshme dhe që vendos në pikëpyetje demokracinë.
“Rusia po përpiqet të vërë në pikëpyetje demokracinë në mbarë botën dhe se për këtë arsye ShBA duhet të reagojë, në mënyrë që t’i tregojë Moskës se e ka kaluar limitin”,- deklaroi senatori demokrat, Lindsey Graham.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, tha se nuk ka biseduar me anëtarët e Kongresit dhe se nuk mund të pajtohet me këtë ide në kushtet kur nuk mund të dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur.
“Mendoj se kompjuterët kanë arritur t’i komplikojnë jetët tona në mënyrë perfekte. Epoka e kompjuterëve ka krijuar një situatë, ku askush nuk e di me saktësi se çfarë ndodh. Kemi shpejtësinë në kryerjen e veprimeve, por dyshoj të kemi sigurinë për të cilën kemi nevojë. Megjithatë, mund t’ju konfirmoj se nuk kam biseduar me senatorët për këtë çështje”,- u shpreh presidenti i zgjedhur i ShBA-ve, Donald Trump.
E menjëhershme ka qenë edhe replika nga qeveria ruse.
“Nëse Uashingtoni do të ndërmarrë hapa armiqësorë, Rusia do t’ia kthejë me të njëjtën monedhë”,- thotë Moska zyrtare.
BELINDA KOKA-ADEMI
