Maqedoni

Fjalimi i presidentit para kombit, Ivanov: NATO dhe BE të papërgjegjshëm ndaj Maqedonisë

29.12.2016 16:07

Kreu i shtetit, Gjorge Ivanov, në fjalimin tradicional të vitit e cilësoi 2016-tën si vit më i vështirë për Maqedoninë, rajonin dhe më gjerë...

Gjatë fjalimit, Ivanov u përqendrua në krizën politike, shkaktarët e saj, zgjidhjet e mundshme dhe vijat e kuqe.
 
Sipas Ivanovit, kriza politike ka ndodhur për dy arsye të ndërlidhura. Bllokimi i procesit eurointegrues dhe kërkimi i zgjidhjeve jashtë institucioneve. Në të dyja rastet, Ivanov me kritika dhe akuza të ashpra ndaj faktorit ndërkombëtar.
 
“Sjellja e papërgjegjshme e NATO-s dhe Unionit Europian ndaj Maqedonisë u reflektua në politikën tonë të brendshme. U humb momenti reformues, u tendosën marrëdhëniet mes partive politike dhe u ul fuqia transformuese e Unionit. Pasojat nga bllokimi u bënë arsye për bllokime të reja të Republikës së Maqedonisë”,- tha kryetari i Republikës, Gjorge Ivanov.
 
Marrëveshja e Përzhinës është kurth, thotë kreu i Republikës. Sipas tij, me të janë anashkaluar institucionet dhe mekanizmat e kontrollit. Për këtë Ivanov akuzoi opozitën maqedonase, parazgjedhore.   
 
“Të bllokuar në rrugën drejt qëllimeve strategjike, ne hyjmë në labirinthin e krizave. Duke dashur ta zgjidhim jashtë institucioneve të shtetit, liderë të papërgjegjshëm filluan të anashkalojnë Kuvendin dhe të mos përfillin mekanizmat e tij të kontrollit. Në vend që të veprojnë në mënyrë sistemore, ata vendosën të veprojnë jashtë sistemit. Me anashkalimin e institucioneve ne ramë në kurthin e Marrëveshjes së Përzhinës”,- theksoi kryetari i Republikës, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov u shpreh i pakënaqur edhe me punën e Prokurorisë Publike Speciale.
 
“Gjatë gjithë kohës, Prokuroria Publike Speciale është selektive dhe prokurori e politizuar, e cila në vend që të jetë instrument i drejtësisë u shndërrua në instrument për shantazhim të kundërshtarëve politik”, – tha Ivanov.  
 
Daljen nga kriza Ivanov e sheh përmes dialogut në institucione, por jo me çmim të interesave shtetërore. Sipas tij, qytetarët, me ndarjen e votave, në zgjedhjet e 11 dhjetorit i kanë detyruar palët që të dialogojnë në institucione.
 
Ai ftoi liderët politik që të jenë të kujdesshëm gjatë bërjes së kombinimeve paszgjedhore. Në vijë me qëndrimet e partisë amë, Ivanov u deklarua kundër opsioneve për ndryshimin e karakterit të shtetit dhe kundër dygjuhësisë në nivel republike. 
 
“Asnjëherë nuk do të pajtohem që RM të jetë shtet binacional. Asnjëherë nuk do të pajtohem që RM të jetë shtet federal. RM është shtet unitar i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë. Dëgjoj se po kërkohet dygjuhësi në gjithë territorin e Maqedonisë. Ajo çështje është mbyll me amendamentin pesë të Kushtetutës së RM-së, që buron nga Marrëveshja e Ohrit”,- deklaroi kryetari i Republikës, Gjorge Ivanov.
 
Sipas Ivanovit, edhe kjo e drejtë është e drejtë që varet nga statistikat. Sipas tij, pa regjistrim të ri të popullsisë nuk mund të kërkohen të të drejta që varen nga statistikat.
 
Madje, ftoi qeverinë e re që të bëjë regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive për të pasur pasqyrë reale për gjendjen në terren.
 
Sa i përket çështjes së sigurisë, Ivanov konsideron se Maqedonia vazhdon të jetë në rrezik të lartë nga luftëtarë të huaj terroristë të cilët janë kthyer nga luftërat në Lindjen e Mesme.  
 
SHPËTIM NUREDINI