Maqedoni

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, donacion në pajisje për përballje me përmbytjet

29.12.2016 16:52

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka pranuar një donacion nga ana e një kompanie private nga Polonia, e cila merret me prodhimin e pajisjeve ushtarake...

Donacioni përfshin 250 pompa të ujit me kapacitete të ndryshme, 30 agregatë për energji elektrike dhe 51 lesa medicinal, që arrijnë vlerën prej 22 mijë eurosh, të destinuara për ndihmë në rast të përmbytjeve.
 
“Kur dëgjuam për përmbytjet ishim të shokuar dhe kur na thirri ambasadorja e dinim se është momenti kyç. Menjëherë pasi i mbaruam të gjitha përgatitjet dhe dokumentacionet, e lëshuam ndihmën në Maqedoni”,- theksoi anëtari i bordit të drejtorëve të Kompanisë “Rosomak”, Maciej Pzhibila.
 
“Donacioni përbehet prej mjeteve teknike dhe materiale. Me këtë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim i pasuron kapacitetet e saj materiale dhe teknike. Kjo është një ndihmë e mirë e cila mund të na dalë në ndihmë gjatë katastrofave eventuale natyrore”,- theksoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu.
 
Nga Kompania polake “Rosomak” thonë se ka më shumë se pesë vjet që firma e tyre bashkëpunon me institucionet në Maqedoni dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, dhe shprehin besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
 
GAZMEND KURTISHI