Arsim, nesër përfundon gjysmëvjetori i parë

29.12.2016 17:40

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nesër përfundon gjysmëvjetori i parë....

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nesër përfundon gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2015-2016.

Nxënësit e shkollës së mesme shprehen se këtë gjysmëvjetor janë përkushtuar për të arritur sukses më të mirë, ndërsa në gjysëmvjetorin e dytë ndjehen më të ngarkuar për shkak të testimit ekstern. 

“Në përgjithësi si të gjithë nxënësit, përkushtohemi, më shumë vëmendje mësimit i japim, por me mbarimin e gjysmëvjetorit që vjen, atë pushimin e vogël e shfrytëzojmë për të pushuar nga ai  mësimi  i rëndë nga tërë gjysmëvjetori. Në gjysmëvjetorin e dytë do të vazhdojmë njëjtë me mësime, por kemi edhe testimet eksterne që duhet t’i përkushtojmë më shumë vëmendje”,- tha një nxënës.

“Unë mësoj në kontinuitet, dhe nuk e kam problem edhe testimin ekstern, prandaj kur të vijë fundi i gjysmëvjetorit unë përgatitem pak më tepër”,- theksoi një nxënës.  

“Në gjysmëvjetorin e parë më shumë jemi përkushtuar, kemi një sukses më të dalluar, pasi që në gjysmëvjetorin e dytë kemi edhe testimin ekstern, ku duhet t’i përkushtojmë më shumë kohë, por në gjysmëvjetorin e dytë nuk do ti përkushtohemi shumë suksesit, pasi që e kemi si një brengë, testimin ekstern”,- u shpreh një nxënëse.

“Si çdo nxënës, më shumë rendësi e kemi suksesin dhe arritjen e notave më të larta, por në gjysmëvjetorin e dytë koha është shumë më e mirë dhe e shfrytëzojmë për të shëtitur, por gjithashtu brengë e kemi edhe testimin ekstern”,- deklaroi një nxënëse.                                   

Rreth 270.000 nxënës, prej të cilëve 188.000 nxënës të shkollave fillore dhe 80.000 të shkollave të mesme, do të jenë në pushim dimëror dhe në bankat shkollore do të kthehen më 18 janar.

Në vitin shkollor duhet të ketë 180 ditë pune, duke pasur parasysh se gjatë këtij viti më shumë festa janë në ditët e punës, pushimi dimëror do të jetë më i shkurtër për një ditë”,- sqarojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencë. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)