LSDM: Ivanov është pjesë përbërëse e problemit, VMRO: Ivanov mbrojti interesat kombëtare

29.12.2016 18:34

Gjorge Ivanov është pjesë e problemit që për 10 vite po e çon vendin prapa...

Gjorge Ivanov është pjesë e problemit që për 10 vite po e çon vendin prapa. Kështu e vlerësojnë fjalimin e presidentit nga Lidhja Socialdemokrate, sipas të cilës sulmet e Ivanovit drejtuar shumicës së qytetarëve të cilët zgjodhën ndryshimet, drejtuar PSP-së, BE-së, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare, janë vazhdimësi e politikave të konfliktit të mentorit të tij, Nikolla Gruevskit.

“Ivanov është pjesë përbërëse e problemit që për dhjetë vjet po e zvarrit Maqedoninë mbrapa. Ai, me faljet e paligjshme dhe anti-kushtetuese, u radhit në mbrojtje të krimit, kundër interesave të popullit dhe vonë është të arsyetohet, për gjithçka do të ketë përgjegjësi. Qytetarët e kuptuan se këto politikanë joseriozë, Gruevski dhe Ivanov, i rrezikuan interesat e qytetarëve dhe të shtetit dhe duan izolim të Maqedonisë për t’i shpëtuar kriminelët. Për këtë arsye qytetarët dolën në votime në mënyrë masovike dhe e dhanë porosinë se duan një Qeveri të re të përgjegjshme, institucione të qytetarëve dhe për jetë ”,- thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Ndërsa për VMRO-DPMNE-në, presidenti në mënyrë të saktë dhe precize ka detektuar problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia gjatë vitit 2016, si në plan të brendshëm ashtu edhe në plan ndërkombëtar.

“Mesazhet e presidentit se nuk do të pajtohet për çfarëdo ridefinimi të Maqedonisë në drejtim të një shteti binacional, kantonizimin apo ndonjë ridefinim është mesazh që duhet të arrijë te çdo politikan i përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm në vend dhe një shembull se si mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërore”,- deklaroi Antonio Milloshkovksi nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE thotë se në pjesën e saj të përgjegjësisë do të bëjë maksimumin, që të kemi një Maqedoni të qëndrueshme, të zhvilluar dhe të begatë, me një qeveri të qëndrueshme, të zgjedhur me vullnetin e qytetarëve. (Sanije Duraku, TVM2)