Raporti i AShAAV për aktivitetet e saj, në fokus mbulimi i fushatës zgjedhore
Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur 34 shkelje....

Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur 34 shkelje, shumica e të cilave janë për tejkalimin e minutave të parashikuara për reklamim të paguar politik.
Kështu njoftoi drejtori i AShAAV gjatë prezantimit të aktiviteteve për katërmujorin e fundit. Sipas tij, fokusi i këtij institucioni në këtë periudhë ka qenë i orientuar në monitorimin e përfaqësimit mediatik gjatë fushatës zgjedhore.
“Gjatë fushatës zgjedhore, e cila zgjati nga 21 nëntori deri më 9 dhjetor, duke u bazuar në Kodin zgjedhor, janë konstatuar gjithsej 34 shkelje. Pjesa më e madhe prej tyre kanë të bëjnë me tejkalimin e limituar të kohëzgjatjes për emetim të paguar politik, më pas emetim të paguar reklamues politik në kuadër të lajmeve dhe emisioneve të veçanta informative. Gjatë heshtjes zgjedhore janë konstatuar 13 shkelje”,- deklaroi drejtori i AShAAV, Zoran Trajçevski.
Komisioni për monitorimin e mediave ka dorëzuar 67 propozime për masa ndaj mediave.
Deri më tani janë refuzuar katër kërkesa për ngritjen e procedurës kundërvajtëse nga gjykata me arsyetimin se kërkesat janë dorëzuar në periudhën kur nuk është marrë ende vendimi për shpalljen e zgjedhjeve nga Parlamenti i Maqedonisë, shtoi Trajçevski.
AShAAV ka zhvilluar edhe një hulumtim lidhur me njohuritë elementare për media të qytetarëve, sipas të cilit rreth 75% për qind e qytetarëve shprehin dyshime rreth informacioneve që përmbajnë vetëm një burim.
"63 për qind janë përgjigjur se nuk e bëjnë atë, që do të thotë se shumica e popullsisë së rritur, edhe pse është e vetëdijshme se ka dallime në raportim, nuk janë të përgatitur për të marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset qytetare",- u shpreh Emilia Petreska– Kamenjarova nga AShAAV.
AShAAV prezantoi edhe hulumtimin për përfaqësim gjinor, i cili ka rezultuar joadekuat gjatë përfaqësimit në lajme dhe në fushatat e marketingut, ndërsa një hulumtim tjetër ka rezultuar se programet televizive nuk janë në dispozicion të personave të verbër dhe të shurdhër. (Naim Ramadani, TVM2)
