Erdogan-Thaçit: Kemi investuar miliona në Kosovë, vazhdojmë vëllazërinë me juve
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan pas takimit me presidentin kosovar, Hashim Thaçi...

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan pas takimit me presidentin kosovar, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media.
Erdogan e ka cilësuar Kosovën si një partner të besueshëm për komunitetin ndërkombëtarë. Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme, sidomos kur tashmë vendi njihet nga 113 shtete.
Presidenti turk ka folur për terrorizmin, duke theksuar se nuk do të lejojë që bota të ikë nga organizatat dhe militantët terroristë. Ai është shprehur se beson që edhe Kosova do të marrë masat e nevojshme për këtë çështje.
Ndër tjerash, Erdogan ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me Evropën. Ai ka thënë se e respekton këtë lidhje.
“Ne e mbështesim lidhjen e Kosovës me institucionet euro-atlantike. Investimet turke në Kosovë kanë arritur tashmë në 350 milionë dollarë, duke punësuar mbi 10 mijë kosovarë. Do të vazhdohet edhe në vitin tjetër, që me vëllezërit nga Shqipëria dhe nga Kosova të mbajmë ngjarje kulturore, në mënyrë që të rrisim solidaritetin mes dy komuniteteve. Tashmë të dy vendet kanë rritur lidhshmërinë vëllazërore”, është shprehur Erdogan.
Ai ka falënderuar Thaçin për vizitë, duke e cilësuar atë si një mik, me ç`rast ka theksuar sërish fqinjësinë e mirë me Shqipërinë dhe Kosovën.
