Rama dhe Meta, interesim të theksuar për zhvillimet në Maqedoni
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta....

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i ka kushtuar një vend të veçantë Maqedonisë gjatë takimit që ka zhvilluar në Dibër me simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Gjatë fjalimit të tij, Meta tha se interesi i vetëm i Shqipërisë është një Maqedoni europiane me shqiptarë me të drejta të plota.
“E mbështesim nismën e Ali Ahmetit për bashkimin e shqiptarëve në një platformë të përbashkët”,- është shprehur Meta gjatë takimit të zhvilluar në Dibër. Mbështetjen Meta e ka shprehur edhe gjatë takimeve që ka pasur me zotin Ahmeti pak ditë më parë në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp, Meta pati deklaruar se shqiptarët duhet të këmbëngulin fort në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit pikë për pikë, në mënyrë që të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë të jenë të padiskutueshme.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së sotme, kryeministri, Edi Rama, pritet të takojë përfaqësues të partive politike shqiptare të Maqedonisë për t’u përcjellë një paketë këshillash, në një kohë kur këto parti pritet të vendosin për krijimin e koalicioneve qeverisëse.
Sikur mësohet paraprakisht, Rama do t’u kërkojë pjesëmarrje sa më të gjerë të partive shqiptare në qeverinë e re. Në këtë mënyrë, ka argumentuar Rama, do të mund të ushtrohet presion pozitiv, me qëllim mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare në Maqedoni. (Luljeta Ndoka, TVM2)
