MAQEDONI

Projekti “Aftësimi i grave të prekura nga konflikti”

06.05.2014 18:12

Mbi 400 gra, në mënyra të ndryshme, për 18 muaj ishin pjesë e projektit “Aftësimi i grave të prekura nga konflikti”...

Mbi 400 gra, në mënyra të ndryshme, për 18 muaj ishin pjesë e projektit “Aftësimi i grave të prekura nga konflikti”, 104 prej tyre fituan përvojë pune në 41 ndërmarrje , 65 mbaruan kurse dhe shumë të tjera u trajnuan se si të kyçen më lehtë  në tregun e punës.
 
“Ky projekt para së gjithash ishte kurajues, pasi bëri të mundur që gratë të kyçen në tregun e punës, t’i paraqesin aftësitë e tyre dhe të tregojnë ç’farë munden.  Me kalimin e muajve u shtua edhe interesimi i grave për tu bërë pjesë e projektit”, deklaroi udhëheqësja e projektit, Daniella Stojanova.
 
“Numri i grave është i ndryshëm, mirëpo ne qëllimin kryesor që e kemi pas identifikimit të grave për pjesëmarrje direkte në projekt, e kemi tejkaluar, më shumë se 450 gra janë identifikuar si pjesëmarrëse potenciale në kuadër të projektit, mandej në formë aktive direkte janë përfshirë rreth 272 gra të cilat në formë të ndryshme, në aktivitete të ndryshme, në trajnimet dhe aktivitetet tjera që i kemi organizuar, kanë marrë pjesë edhe si pjesëmarrëse direkte apo shfrytëzuese të projektit”, tha nga Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Fisnik Shabani.
 
Edhe femrat të cilat ishin pjesë e trajnimit, shprehen të kënaqura me projektin, madje si rezultat i trajnimit, 20 prej tyre kanë gjetur punë.      
                                                   
“Kam marrë pjesë në një kurs për kontabilitet elektronik, gjë që më ka ndihmuar mjaft të di më shumë rreth kontabilitetit, për atë kam qenë e interesuar edhe më herët”, u shpreh një kursante nga  qyteti i Kumanovës, Lindita Sulejmani.
 
“Projekti i MSMS-së më ka mundësuar të punësohem, bëhet fjalë për kompaninë “Dauti  Transport Shped”, bëhet fjalë për një kompani me renome, punë administrative dhe me sukses e kryej punën time”, theksoi një kursante nga Komuna e Çairit, Ajtene Muaremi.
 
“Mësuam shumë tema të ndryshme se si të kyçemi në tregun e punës dhe të cilat faktikisht pasi kam mbaruar magjistraturën për diplomaci, më mundësojnë që të kyçem në projektet e Qeverisë për të papunësuarit”, tha një kursante nga Komuna e Tearcës, Azbije Dauti.
 
Pjesëmarrëset interes të madh kanë shprehur për drejtimet: kontabilitet, rrobaqepësi, frizere, administratë dhe më pak për anglisht dhe informatikë. 
 
Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe është realizuar në 8 komuna të banuara kryesisht me shqiptarë.
 
RINA TURKESHI-SAITI