Maqedoni
Festimi i Vitit të Ri, qytetarët: në shtëpi, nuk kemi para për jashtë; Agjencitë turistike: oferta ka plot, por të interesuarit janë të paktë
30.12.2016 12:32
Festat e fundvitit sjellin një atmosferë më të mirë e më të ngrohtë gjithkund nëpër botë...
Festat e fundvitit sjellin një atmosferë më të mirë e më të ngrohtë gjithkund nëpër botë, mirëpo jo të gjithë e kemi mundësinë që të udhëtojmë dhe të festojmë fundin e vitit diku jashtë vendit.
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se Vitin e Ri më shumë do ta presin në ambientin familjar, pasi që kushtet financiare nuk ua lejojnë atyre të udhëtojnë jashtë vendit për të festuar.
“Këtu do ta festojmë, s’kemi kushte as buxhet për jashtë”,- u shpreh një qytetar.
“Jo, jo jashtë nuk festoj se edhe jam plakur më dhe ku të shkojmë, me rroga dobët jemi”,- theksoi një qytetare.
“Duam të udhëtojmë, por varet prej kushteve, këtë vit në shtëpi do të festojmë”,- theksoi një qytetare.
“Kemi ardhur në pushim këtu prej jashtë”,- tha një qytetar.
“Do të festoj me shoqërinë time në shtëpi”,- deklaroi një qytetar.
Agjencitë turistike ankohen se edhe përkundër ofertave nga më të ndryshmet, kërkesat e qytetarëve janë të pakta, sidomos krahasuar me vitin e kaluar.
“Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit kërkesat janë shumë më pak, kemi oferta mjaft, kemi shumë destinacione, si Turqia,Vjena, Praga, kemi edhe për në Dubai, Barcelonë, por për dallim nga viti që e lamë pas... Më shumë kanë shëtitur, kanë dalë... Momentalisht destinacionet më të kërkuara janë Turqia, Vjena, Praga, çmimi është më i volitshëm”,- tha agjenti turistik, Burhan Alili.
Qytetarët shpresojnë se viti 2017 do t’u sjellë atyre një standard më të mirë ekonomik dhe një vit më të mirë se vitin që e lamë pas.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
