Maqedoni
Kushtet e shqiptarëve për qeverinë e re, katër liderët nënshkruajnë marrëveshjen
30.12.2016 13:10
Për të unikuar qëndrimet e faktorit shqiptar në Maqedoni në interes të avancimit të çështjes kombëtare nga takimi në Tiranë...

Për të unikuar qëndrimet e faktorit shqiptar në Maqedoni në interes të avancimit të çështjes kombëtare nga takimi në Tiranë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, u përpilua deklarata e përbashkët e firmosur nga liderët pjesëmarrës në takim dhe që tani pret edhe firmën e PDSh-së.
Deklarata parasheh kushtet e përbashkëta të partive shqiptare, të cilat do të jenë kushti i vetëm i koalicionimit me mandatarin nga pala maqedonase në bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Pika e parë e deklaratës për të cilën katër liderët shqiptarë kanë rënë dakord parasheh: “Arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, përfshirja e parimit të multietnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtetformues, arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi përdorimit të saj si e drejtë themelore, përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare (flamuri dhe stema)...”.
Buxheti dhe zhvillimi i barabartë i rajoneve të banuara me shqiptarë zë vend kryesor në këtë deklaratë.
“Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, krijimi i një mekanizmi të ri në formën e një komisioni shtetëror për financimin e komunave, për një vendimmarrje më të drejtë dhe miratimin me shumicën e dyfishtë për grandet qeveritare në përfitim të komunave…”.
Deklarata parasheh gjithashtu themelimin e një ministrie për komunitetet, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.
Deklarata obligon partitë shqiptare për përfaqësim të drejtë në organet e sigurisë-policisë dhe në ato të drejtësisë.
Gjithashtu, vend të rëndësishëm ka zënë edhe financimi i kulturës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Kërkohet edhe krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktorëve dhe lektorëve.
Deklarata përfshin edhe integrimin e shpejtë në NATO dhe në BE.
LEUNORA KALIQI
