MAQEDONI

Shkëmbimi tregtar Maqedoni-Kosovë shënon rënie

06.05.2014 18:17

Procedurat burokratike që krijohen në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, për eksportin dhe importin e mallrave...

Procedurat burokratike që krijohen në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, për eksportin dhe importin e mallrave, mungesa e menaxhimit të integruar ndërkufitarë dhe investimeve infrastrukturore në këtë zonë, mungesa e promovimit të produkteve të të dy vendeve dhe ndalesa e eksportit të derivateve të “Oktës”, janë shkaqet kryesore që këtë vit dy shtetet fqinjë shënojnë rënie të shkëmbimit tregtarë prej 38 për qind.
 
Për ta përmirësuar këtë gjendje, Odat Ekonomike të Maqedonisë dhe të Kosovës sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim të angazhohen për rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet dy Odave.
 
“Ajo që është më me rëndësi, pse nuk bashkëpunojmë për të absorbuar mjetet nga fondet evropiane. Është koha kur si dy Oda dhe me partneritet të punojmë me unifikimin e politikave ekonomike dhe në këtë drejtim në qoftë se bëjmë unifikimin e politikave, do t’i eliminojmë barrierat jo tarifore, sepse nëse nuk ka komunikim do të humbet ardhmëria edhe për Maqedoninë edhe për Kosovën. Hapi i parë është që të eliminohen procedurat burokratike në kufi, sepse nuk udhëtohet nga Prishtina në Shkup për 4 orë, e dyta është koha kur duhet mësuar nga Evropa, që të kemi një regjim të integruar të kufirit, e treta është investimi në infrastrukturë, sepse pa infrastrukturë nuk ka as bashkëpunim ekonomik dhe në të njëjtën kohë të gjejmë mundësi të jemi të përbashkët në tregjet e treta”, deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
 
“Kemi vlerësuar se është mirë që pas rënies së shkëmbimit tregtarë, që erdhi si pasojë e  ndalesës  së  eksportit të derivateve të “Oktës”, të gjejmë mënyrë dhe t’i tejkalojmë këta lloj problemesh. Ajo që mund të them në këtë drejtim është se Odat Ekonomike të Kosovës dhe të Maqedonisë nënshkruan memorandum për rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet 2 Odave Ekonomike”, u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azevski.
 
Fokusi  i dy qeverive dhe  kompanive  në të ardhmen duhet të jetë në drejtim të investimeve të përbashkëta. Vetëm kështu thotë kryetari i OEMVP-së, mund të përmirësohet dhe përforcohet ekonomia e të dyja vendeve.
 
“Sigurisht është edhe një segment tjetër i cili është i virgjër dhe i paprekur, ato janë investimet e përbashkëta të të dy shteteve, qoftë në pjesën e Kosovës, qoftë në pjesën e Maqedonisë dhe këtu shihet një potencial shumë i madh. Prandaj jemi këtu, bashkërisht të japim mbështetjen tonë të një politike të ardhshme ekonomike qeverive tona nga duhet shkojnë”, tha kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi.
 
Odat Ekonomike të Maqedonisë dhe Kosovës, janë  në fazën e fitimit të disa projekteve të përbashkëta, që do të mbështeten nga IPA-fondet.
 
REXHEP QAMILI