Hakmarrja ndaj ShBA-ve, Rusia kërkon dëbimin e 35 diplomatëve

30.12.2016 15:25

Moska hakmerret pas vendimit të Uashingtonit për dëbimin e 35 diplomatëve rusë...

Moska hakmerret pas vendimit të Uashingtonit për dëbimin e 35 diplomatëve rusë për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale.

Ministria e Jashtme ruse i ka kërkuar presidentit, Vladimir Putin, t’u përgjigjet amerikanëve me të njëjtën monedhe, të dëbojë 35 diplomatë amerikanë nga Rusia.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, e dënoi atë që e cilësoi politikë të jashtme agresive të administratës amerikane dhe paralajmëroi për efektet dëmtuese që do të ketë ky vendim në raportet mes dy vendeve.

Diplomatët e dëbuar rusë, të cilëve u është lënë afat 72 orë për t’u larguar, janë pjesë e stafit të Ambasadës së Rusisë në Uashington dhe të konsullatës në San Francisko.

Sanksione janë njoftuar edhe kundër dy agjencive ruse të inteligjencës, ndërsa dy komplekse në New York dhe Maryland, që përdoreshin nga zyrtarë rusë për qëllime zbulimi, do të mbyllen.

Presidenti në detyrë, Obama, kishte paralajmëruar për masa ndaj Rusisë, të cilën e akuzoi për sulmet kibernetike gjatë fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Megjithatë, është e paqarte nëse sanksionet ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi, pasi bëhet fjalë për një administratë tranzitore amerikane.

Donald Trump do të marrë zyrtarisht detyrën në 20 janar dhe ai është shprehur se kërkon marrëdhënie më të mira me Moskën.