OEMVP: Qeveria nuk e përfilli komunitetin e biznesit

30.12.2016 16:01

Kriza e stërgjatur politike ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë vitit 2016....

Kriza e stërgjatur politike ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë vitit 2016. Qeveria nuk i mori parasysh kërkesat e komunitetit të biznesit dhe në këtë mënyrë ndikoi që vendi të stagnojë ekonomikisht, vlerësojnë nga OEMVP.

Borxhi publik, deficiti buxhetor, vrimat në fondin pensional, politikat selektive të investimeve të huaja, legjislacioni, marrëdhëniet fqinjësore, si dhe infrastruktura janë sferat në të cilat përballet ekonomia vendore.   

“Ky vit ishte një vit  sfidues për Maqedoninë, sepse gjatë gjithë vitit vendi gjendet në një krizë të thellë politike, rritja ekonomike e vendit me target prej 3,7%, kurse ajo këtë vit me gjasë do sillet rreth 2,2% dhe nuk është proporcionale në të gjithë sektorët e ekonomisë, por në kurriz të politikave selektive, duke favorizuar veprimtari të caktuara nga ku buron kjo rritje, duke “goditur’’ sektorë të tjerë”,- deklaroi nënkryetari i OEMVP-së, Nazmi Ejupi.

“OEMVP ka pasur kërkesa të shumta ndaj qeverisë dhe pothuajse 35 kërkesa të cilat i kemi dërgu te qeveria, vetëm dy kanë qenë positive, dhe mund të themi se këto dy kërkesa kanë qenë administrative dhe nuk kanë tanguar në mënyrë të drejpërdrejtë komunitetin e biznesit”,- theksoi drejtori ekzekutiv, Fatmir Bytyçi.

Nga OEMVP nuk shprehen optimistë as për vitin 2017, pasi që, sipas tyre, ende ka probleme të pazgjidhura të shtetit, por edhe mbajtja e zgjedhjeve lokale këtë vit nuk la hapësirë për të pritur një vit më pozitiv se viti 2016.

“Paralajmërimet edhe të insititucioneve vendore dhe ato të jashtme, por gjithsesi edhe sinjalet që na dërgojnë vetë bizneset, nuk janë optimiste dhe nuk lënë hapësirë për të thënë se 2017 do jetë vit i lehtë dhe frytdhënës. Sipas parashikimeve tona, rritja e këtij viti nuk do jetë jo më shumë se 2,5% të PBV-së”,- u shpreh nënkryetari i OEMVP-së Nazmi Ejupi.

Por, nga OEMVP shpresojnë që këtë vit të mos ketë turbulenca tjera politike, pasi që në këtë mënyrë bizneset do të dëmtohen edhe më tepër. (Ersan Pajaziti, TVM2)