Albert Musliu: Кërkesat nga koordinimi janë legjitime, Ismet Ramadani: Kërkesat, bazën e kanë në MO
Koordinimi i forcave politike shqiptare rreth një platforme të përbashkët....

Koordinimi i forcave politike shqiptare rreth një platforme të përbashkët forcon pozicionet e tyre në raport me partnerët në ekzekutivin e radhës, ndërsa kërkesat që u dakorduan pas takimit të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë legjitime, vlerëson analisti politik, Albert Musliu.
“Kjo deklaratë edhe mënyra me të cilën është organizuar kjo deklaratë përforcon pozitën e negociatave me partnerët tanë, por edhe logjika e këtyre kërkesave është logjikë legjitime me vet faktin se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e kontestojnë. Mendoj se jep një shanc të mirë edhe të realizohen, edhe të përmbushen, dhe me vetë përmbushjen e asaj do të ç’tensionohet edhe situata në Maqedoni. Besoj se në fazën fillestare mund të ketë edhe ndonjë retorikë më të ashpër, por ne ato faza i kemi kaluar edhe me çështjen e universitetit edhe me shumë tema tjera, por kur janë efektuar ato edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas, nuk shkon në dëm të askujt, por shkon në benefit të shoqërisë në përgjithësi”,- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Analisti, Ismet Ramadani, takimin e liderëve shqiptarë të Maqedonisë në Tiranë e ka cilësuar të frytshëm, teksa pret që ky koordinim të sjellë rezultate konkrete. Sipas tij, pikat për të cilat janë dakorduar, bazën e kanë në MO dhe zbatimi i tyre do të varet nga vetë shqiptarët që do të futen në ekzekutivin e radhës.
“Mendoj se nuk janë kërkesa maksimaliste. Janë çështje që kanë të bëjnë me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, por kuptohet me një lexim më ekstensiv dhe më pozitiv të MO-së. Efekti do të jetë varësisht se si përfaqësuesit e shqiptarëve nesër në ekzekutiv dhe parlament do të kryejnë detyrën e vetë dhe duhet pandërprerë të kërkojnë që të gjitha këto pika të realizohen. Mendoj se në platformën e përbashkët për bashkëqeverisje me mandatarin këto pika do të vendosen, këto pika do të jenë publike dhe meqë do të jenë publike, kuptohet se mbetet edhe realizimi i tyre”,- u shpreh analisti politik, Ismet Ramadani.
Sipas analistëve, marrëveshjet e këtilla mund të shërbejnë për të zbutur retorikën edhe midis vetë aktorëve politik shqiptarë në Maqedoni, teksa besojnë se pas këtij takimi do të vijojë një proces ku pikat e këtij koordinimi do të jenë prioritet të forcave politike shqiptare dhe jo marrëdhëniet midis tyre. (Naim Ramadani, TVM2)
