Maksuti: Ivanov nuk ka kompetenca për të penguar diçka, Arsovski: Ivanov mbajti një fjalim pa vlerë

30.12.2016 17:31

“Fjalim i paqartë dhe jokonciz”,- kështu e ka vlerësuar fjalimin e presidentit Ivanov...

“Fjalim i paqartë dhe jokonciz”,- kështu e ka vlerësuar fjalimin e presidentit Ivanov profesori universitar, Mersim Maksuti.

Ai nuk e ka të qartë se ku e sheh presidenti kërcënimin për sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë. Fjalimi i presidentit nuk përcjell frymën e stabilitetit politik, nuk është në frymën e konsolidimit të institucioneve të këtij vendi dhe në frymën e luftimit të korrupsionit, thotë Maksuti, për të shtuar se kërkesat e partive shqiptare për dygjuhësinë janë kërkesa politike dhe presidenti nuk ka kompetenca për të parandaluar një gjë të tillë.

“Së pari duhet t’i tregojmë presidentit se Maqedonia nuk është në rrezik të destabilizimit të saj, madje as nuk është në gjendje ai si president, që është president me kompetenca më të pakta të presidentëve në rajon. Dhe një president me kompetenca të cunguara nuk ka fuqi kushtetuese të ndali. Aq më tepër presidenti nuk duhet t’i shohë këto procese në këtë aspekt, sepse ai duhet të jetë faktor unifikues i këtij vendi, e jo faktor që përçan, dhe është i mbështetur dhe marionetë e VMRO-së”,- theksoi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Për analistin politik, Petar Arsovski, fjalimi i presidenti ishte i pavlefshëm, ndërsa thirrja  e tij për pajtim mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së nuk ka të bëjë me publikimin e "bombave" të Zoran Zaevit, por është një reagim në drejtim të dobësimit të VMRO-DPMNE-së dhe forcimin e opozitës.

“Kishte njoftime për pajtim, nuk e di nëse kjo do të thotë një lloj paralajmërimi për një koalicion të gjerë. Në këtë kuptim, ky fjalim mbetet i pavlefshëm si fjalimet e tjera. Mendoj se publikimi i “bombave” nuk ka të bëjë me pajtimin eventual mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Ivanov më shumë reagon në drejtim të dobësimit të pozitës së VMRO-DPMNE-së dhe tani kërkon një lloj pajtimi, marrë parasysh se opozita e deritanishme tani është më e fortë”,- tha analisti, Petar Arsovski.

Arsovski dhe Maksuti ndajnë mendimin se qëndrimi i presidentit, Gjorge Ivanov, përveç që duket haptas se është i përgatitur nga VMRO-DPMNE, por edhe përçan dhe destabilozon edhe më shumë shtetin. (Sanije Duraku, TVM2)