Mblidhet Kuvendi, u verifikuan mandatet, s’ka dakordim për kryetarin

30.12.2016 17:53

Kuvendi republikan verifikoi mandatet e 120 deputetëve...

Kuvendi republikan verifikoi mandatet e 120 deputetëve. Me seancën kryesoi ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski. Kryesimi i Veljanovskit u kritikua nga grupi parlamentar i LSDM-së.

Sipas tyre, akti është në kundërshtim me Rregulloren dhe praktikën e deritanishme.  

“Konsiderojmë se Trajko Veljanovski nuk duhet të kryesojë me seancën konstituive të Kuvendit, pasi edhe praktika parlamentare edhe dispozitat e Rregullores thonë se me seancën konstituive duhet të kryesojë deputeti më i moshuar në Kuvendin e RM-së”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.

Mirëpo, Veljanovski mohoi pretendimet e LSDM-së. Sipas tij, pavarësisht praktikës së deritanishme, Rregullorja e mundëson që këtë seancë ta udhëheq ai.

“E diskutuam edhe dje në takimin e punës. Ka dallim mes praktikës dhe Rregullores, dhe unë mendoj se Rregullorja ka përparësi në zbatim”,- u shpreh kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski.

Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja BESA kërkoi nga Kuvendi që të mos e verifikojë mandatin e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Johan Tarçullovski, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në konfliktin  e vitit 2001. 

“Jam shumë i brengosur që sot në këtë Kuvend të popullit po bëhet deputet edhe dikush, i cili nga Gjykata e Hagës ishte i gjykuar për krime kundër civilëve shqiptarë në vitin 2001. I bëj thirrje këtij Kuvendi që të mos e verifikojë mandatin e këtij deputeti”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja BESA.

Kuvendi nuk funksionon në bazë të preferencave, por në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores, u përgjigj kryesuesi i seancës, Trajko Veljanovski.

“Duhet të tregojmë pengesa ligjore edhe të rregullores se nëse dikujt duhet t’i verifikohet ose jo mandati dhe jo nëse ju ju pëlqen ose nuk ju pëlqen. Të jemi korrekt. Këtu punohet sipas normave në harmoni me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren”,- deklaroi kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski.

Seanca u ndërpre në afat të pacaktuar, pasi partitë që kanë fituar mandate në Kuvend nuk kanë rënë dakord për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe as për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Në seancën konstituive nuk mori pjesë presidenti i Republikës dhe as dy deputetët e PDSh-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)