Reklamimi gjatë fushatës zgjedhore, ja sa harxhuan partitë politike në media

30.12.2016 19:10

Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kanë harxhuar 1,5 milion euro....

Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore kanë harxhuar 1,5 milion euro për t’u reklamuar në televizione, radio dhe gazeta.

Deri më tani raporte financiare deri te Komisioni për Antikorrupsion kanë dorëzuar 40 mediume.

VMRO-DPMNE më së shumti është reklamuar gjatë kohës së fushatës parazgjedhore, por deri më tani thuajse nuk ka paguar asnjë denarë.

Sipas raporteve financiare të mediumeve të dorëzuara te Komisioni për Antikorrupsion, VMRO-DPMNE ka bërë faturë prej 741.000 euro.

Pas saj është LSDM, kandidatët e së cilës për deputetë janë reklamuar me shumën prej 490.000 euro, prej të cilave 206 mijë akoma nuk janë paguar.

E treta vjen BDI, me 140.000 euro. E katërta është BESA me 82.000 euro për reklamim, pastaj Koalicioni VMRO për Maqedoninë me 43.000 euro, PDSh-ja e Menduh Thaçit me vetëm 12.000 euro, Partia Liberale me 10.000 euro, Koalicioni për ndryshim dhe drejtësi 8.000 euro, Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” ka paguar 3.486 euro, kurse PPD 2.600 euro. Më pak para ka harxhuar partia “E Majta”, 187 euro për reklamim.