PDSh, takim i fundvitit me strukturat partiake, Sadiku: Vit i rëndë dhe i keq për shqiptarët e Maqedonisë

30.12.2016 21:14

Azem Sadiki: Vit tejet i mbrapshtë dhe i dëmshëm për shqiptarët...

“Vit tejet i mbrapshtë dhe i dëmshëm për shqiptarët, si në aspektin politik po ashtu edhe atë ekonomik”,- kështu e ka përkufizuar vitin që lamë pas në fjalimin e fundvitit sekretari i PDSh-së, Azem Sadiku.

Ai më tej theksoi se në këto zgjedhje PDSh doli me rezultate të dobëta, por, sipas tij, PDSh–ja ndjehet krenare, pasi nuk u realizua skenari për ekzekutimin përfundimtar nga skena politike e PDSh-së.

“Ne dolëm me rezultat të dobët në zgjedhjet e fundit, megjithatë jemi shumë krenarë që nuk u realizua skenari i armiqve të shqiptarëve të Maqedonisë, skenar që planifikonte ekzekutimin përfundimtar të PDSh-së nga skena politike. Kjo nuk ndodhi, ne mbijetuam, të plagosur rëndë, plagë të cilat do t’i llogarisim si medalje të betejave për liri. Ne kemi forcë, kapacitete, dijeni për t’i shëruar këto plagë shumë shpejt. Populli shqiptar na ka dhënë një mandat vendimtar, mandatin e opozitës etnike dhe na ka obliguar që ne të jemi rojtarët e thesarit të çmuar kombëtarë që me një fjali do të mundohem t’i përkufizoj: ne jemi komb dhe i duam të gjitha të drejtat që i kanë kombet tjera në Evropë",- deklaroi sekretari i PDSh-së, Azem Sadiku.

Ndërkohë, Azem Sadiku ka paralajmëruar se viti i ardhshëm do të jetë shumë më i vështirë se sa ky që lamë pas. (Visar Sadiki, TVM2)