MAQEDONI

KSHZ nuk ka njoftim zyrtarë për dorëzimin e mandateve

06.05.2014 18:29

KSHZ-ja sot ka vërtetuar rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale...

KSHZ-ja sot ka vërtetuar rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale.
 
Në bazë të rezultateve përfundimtare të KSHZ-së, nga 9 listat zgjedhore në zgjedhjet parlamentare në bllokun maqedonas, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 61 mandate deputetësh, LSDM 34 dhe Opsioni Qytetar për Maqedoninë 1 deputet.
 
Ndërsa në bllokun shqiptar, BDI ka fituar 19 deputet, PDSH 7 dhe RDK ka fituar një deputet. Nesër do të dorëzohen certifikatat për  deputetët e ardhshëm të Kuvendit Republikan. 
 
Kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rilkovski,  njëherit bëri të ditur se zyrtarisht ky komision nuk është njoftuar për kthimin e mandateve nga ndonjë parti politike.                                                                                                           
“Ne nuk kemi këtu asgjë zyrtare, se dikush do t’i kthejë mandatet.... Mirë, paralajmërimet janë paralajmërime dhe sigurisht se janë serioze, por ne si KSHZ deri tani nuk kemi pranuar asgjë zyrtare lidhur me këtë çështje”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rilkovski. 
 
Por opozita maqedonase shprehet e vendosur për dorëzimin e mandateve. Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, bën të ditur se të gjithë kandidatët për deputet të LSDM-së dhe të koalicionit, kanë nënshkruar në noter deklaratat se nuk do t’i pranojnë mandatet e deputetëve në përbërjen e re parlamentare. 
 
“Kandidatët për deputet nga listat e LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit, gjatë ditës së djeshme dhe në orët e mëngjesit të sotëm, i kanë nënshkruar para noterit deklaratat për mospranimin e mandateve, tani ne presim nga KSHZ-ja të na njoftojë që të vazhdojmë me procedurë juridike”, u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Njëherit Shilegov ka demantuar zërat se deputetët e opozitës po kalojnë në radhët e Opsionit Qytetarë për Maqedoninë. Poashtu Shilegov theksoi se për hapat e mëtutjeshëm të opozitës do të vendoset në Kongresin e LSDM-së. 
 
Kongresin e partisë më të madhe opozitare e presin edhe nga Partia Liberale Demokrate e Andrej Zhernovskit. Ky i fundit pas takimit me ambasadorin Amerikan, Poll Volers, tha se në takim është bërë fjalë për zhvillimet politike në vend, por nuk deshi të komentojë qëndrimin e ambasadorit amerikan për hapat e mëtutjeshëm të opozitës.
 
“Biseduam kuptohet për atë që është e pritshme, për gjendjen aktuale politike në vend, folëm shumë për atë se çka nënkuptojnë këto hapa të opozitës, më së shumti biseduam për atë se cila është strategjia e veprimit opozitarë të mëtutjeshëm pas kthimit të mandateve”, theksoi kryetari i PLD-së, Andrej Zhernovski.
 
Zhernovski poashtu bëri të ditur se 99% e këshillit qendror të Partisë Liberal Demokrate ka mbështetur qëndrimin pro dorëzimit të mandateve.
 
Poashtu Zhernovski bëri të ditur se marrëveshja e bashkëpunimit të partisë së tij me LSDM-në ka përfunduar pasi marrëveshja kishte të bënte me bashkëpjesëmarrje në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale, ndërsa pas kongresit do të bisedohet për hapat e mëtutjeshëm, por gjithsesi kjo parti mbetet në opozitë, tha Zhernovski.  
 
NAIM SINANI