Botë
SHBA, diplomatët rusë largohen nga dy objekte pushimi
31.12.2016 13:45
Diplomatët rusë janë larguar nga dy objekte pushimi që i kanë shfrytëzuar në periferi të Uashingtonit dhe qytetit të Nju Jorkut...

Diplomatët rusë janë larguar nga dy objekte pushimi që i kanë shfrytëzuar në periferi të Uashingtonit dhe qytetit të Nju Jorkut, në pajtim me urdhërin e dhënë nga Shtëpia e Bardhë.
Rusët, që janë akuzuar se kanë përdorur këto objekte për spiunim, kanë pasur afat deri në mesditë që të largohen nga objekti që gjendet në Centreville të Merilendit dhe tjetri në ishullin Long të Nju Jorkut.
Afër mesditës, disa kamionë të vegjël, autobusë dhe automjete të blinduara me regjistrim diplomatik janë larguar prej atje.
“Hapësirat janë liruar dhe tani janë nën kontrollin e qeverisë”, ka thënë Elliot Conway, kryetari i Upper Brookville.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se këto objekte janë shfrytëzuar për mbledhje të informacioneve sekrete. Mbyllja e tyre është pjesë e masave kundër Rusisë për dyshimin se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit përmes sulmeve kibernetike.
Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, këtë vendim e ka quajtur “skandaloz”, veçanërisht pasi është marrë gjtë pushimeve të Krishtlindjeve, kur ka pushim nga shkolla ndërsa familjet kanë planifikuar që të shfrytëzojnë ato objekte për relaksim gjatë festave.
Por derisa njoftohej për largimin e diplomatëve rus, një furnizues me energji elektrike në Vermont ka njoftuar se ka gjetur virus në një nga kompjuterët e saj, i cili sipas qeverisë amerikane është vendosur nga hakerët rusë.
Kompania e energjisë elektrike në Burlington, ka thënë mbrëmë se furnizuesit me energji elektrike në SHBA janë paralajmëruar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për një virus që shfrytëzohet nga “Grizzly Steppe”, emër ky i dhënë një fushate ruse gjatë verës për të sulmuar institucionet demokratike amerikane.
Kompania ka thënë se ka ndërmarrë “masa të menjëhershme për të izoluar laptopin dhe të paralajmërojë zyrtarët federal”, me të cilët tani po punojnë për të parandaluar ndonjë ndërhyrje tjetër.
Ndonëse hakerët nuk e kanë përdorur virusin për të ndërprerë operacionet e furnizuesit, autoritetet amerikane vlerësojnë se çdo ndërhyrje në sistemin elektrik të shtetit është i rëndësishëm sepse paraqet dobësi potencialisht serioze për qytetarët dhe ekonominë.
Rusia është fajësuar para një viti për sulm kibernetik në sistemin e furnizimit me energji elektrike të Ukrainës, sulm ky që la rreth 250 mijë njerëz pa drita. Rusia ka hedhur poshtë akuzat.
REXHEP QAMILI
